
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur përditësimin e fundit për situatën e zjarreve në vend. Gjatë ditës së sotme janë raportuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 5 vijojnë të jenë aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 7 janë shuar plotësisht.
Vatrat aktive ndodhen në qarqet Dibër, Fier dhe Shkodër, por sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në terren janë angazhuar 324 forca operacionale dhe 17 automjete zjarrfikëse. Në operacione kanë marrë pjesë edhe 92 efektivë të Forcave të Armatosura, me mjete dhe pajisje të posaçme.
Në Dibër, vijojnë aktive vatrat në Lundre–Madhesh të Matit, Cerrujë–Mali i Allushit në Klos dhe në Selishtë. Vatra në Qafën e Helmes në Bulqizë është nën mbikëqyrje.
Në Shkodër, aktive mbetet vatra në Porav të Fushë-Arrëzit, ndërsa zjarret në Rragam dhe malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje. Sipas autoriteteve, nuk ka banesa në rrezik.
Në Fier, vatra në Çërrilë të Mallakastrës vijon të jetë aktive, por është izoluar. Ndërkohë, zjarri në Peshtan mbahet nën mbikëqyrje.
Sa i përket Tiranës, zjarri në malin e Dajtit është shuar, ndërsa vatra në Malin me Gropa është izoluar dhe po monitorohet. (A2 Televizion)