“Po për të dhënë shtëpi me qira, shitur e blerë bëhet të gjitha në euro. Ne shqiptarët e kemi çik maninë që i përqafojmë shpejt e shumë gjërat e reja.”
Leku është monedha zyrtare e Shqipërisë, por qytetarët e përdorin po aq sa edhe lekun. Veç supermarketeve apo qendrave tregtare, me monedhën europiane mund të paguash kudo, përfshirë taksinë e berberin. Kjo pritet ta lehtësojë kapërcimin e vendit nga leku drejt euros.
Adrian Civici, pedagog, ekspert për ekonominë, shprehet: “Në momentin që do të vendoset që Shqipëria do të adoptojë euron, lihet një periudhë tranzitore, e cila zakonisht zgjat disa muaj, për t’i dhënë kohë ekonomisë, institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve të përshtaten me monedhën e re. Gjatë kësaj periudhe qarkullojnë paralelisht si leku ashtu edhe euro, çmimet afishohen në të dyja monedhat dhe bankat kryejnë procesin e konvertimit të depozitave, kredive dhe llogarive bankare sipas kursit zyrtar të këmbimit të përcaktuar në momentin e hyrjes në eurozonë. Pas përfundimit të kësaj faze, euro bëhet mjeti i vetëm ligjor i pagesës dhe leku del përfundimisht nga qarkullimi.”
Përvoja e vendeve të tjera europiane tregon se adoptimi i euros kërkon kohë. Shumë shtete kanë pritur me vite pas anëtarësimit në Bashkimin Europian përpara se të hynin në eurozonë, duke u fokusuar te stabiliteti ekonomik dhe zbatimi i reformave të nevojshme.
“Dhe prandaj shumë vende europiane janë anëtarësuar në eurozonë 6, 8, 10 apo edhe 14 vjet mbas anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian pikërisht për faktin që integrimi në euro të mos vijë si goditje monetare, të mos vijë thjesht si ambicie politike por të vijë si një gjë e natyrshme që respekton të gjithë këto reforma dhe rregulla strukturore”, thotë Civici.
Adoptimi i euros sjell ndërkohë edhe ndryshime të rëndësishme institucionale.
“Ajo që e quajmë pavarësi monetare transferohet te Banka Qendrore Europiane. Kjo do të thotë se banka qendrore e një vendi nuk vendos më në mënyrë të pavarur për normat bazë të interesit, ofertën monetare apo instrumentet kryesore të politikës monetare. Këto vendime merren në nivel të eurozonës nga Banka Qendrore Europiane, me qëllim garantimin e stabilitetit të çmimeve dhe funksionimin sa më efikas të ekonomisë së përbashkët”, vijon ai.
Aktualisht, euro është monedha zyrtare e 21 nga 27 vendet e BE-së. Shtetet që ende nuk e kanë adoptuar euron si monedhë zyrtare janë Çekia, Hungaria, Polonia, Rumania, Suedia dhe Danimarka. (A2 Televizion)