Nga njëra anë shqiptarë që enden rrugëve të Europës në kërkim të një strehe e pune, dhe nga tjetra emigrantë të parregullt që përpiqen të përdorin vendlindjen e tyre si rrugëkalim për në perëndim.
Është kjo fotografia bardh e zi që gjen Shqipërinë dhe botën në Ditën Ndërkombëtare e Refugjatëve. Gati 500 emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut u kapën në vend në katër muajt e parë të vitit.
Ndonëse në rënie, flukset tregojnë se Shqipëria vijon të konsiderohet si “vend trazit.”
“Ata e kanë rrugëtim kalimthi Shqipërinë. Nuk kërkojnë azil. Ata duan të ikin në Perëndim, aty e kanë destinacionin e synuar. Dhe kryesisht në kufirin Kapshticë-Kakavijë. Ky është një trend ndryshe nga vitet e mëhershme. Më parë kapeshin rëndom edhe brenda territorit të Shqipërisë”, shprehet Armela Xhaho, studiuese e çështjeve të emigracionit.
Më shumë sesa dëshira, nevoja për një jetë më të mirë po vazhdon t’i shtyjë shqiptarët të ikin. Ndonëse në rënie të lehtë në raport me vitet e mëhershme, më shumë se sa dëshira, nevoja për një jetë më të mirë shtyu 2 mijë e 50 shqiptarë të aplikonin për azil në një nga vendete Bashkimit Europian deri në mars.
“Është shumë jo-koherente dhe shumë shqetësuese. Në ditët e sotme po flitet jashtëzakonisht shumë nga mediat, jo vetëm shqiptare, por edhe të huaja që të rinjtë çdo ditë e më shumë po lëvizin nga vendi ynë, nga Shqipëria. Është një plagë e thellë”, thotë Ermela, studente.
Në pritje të publikimit të gjetjeve të Cens-it, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm në tetë vitet e fundit, numri i të rinjve deri në 24 vjeç është pakësuar me 206 mijë. Nga mbi 1 milionë në 2015-n, në vend tani ka më pak se 812 mijë të rinj e të reja.
“Është një formë dorëzimi. Efektet po i ndjejmë. Nuk është perceptim. Po hasim një krizë demografike. Do vuajmë ndoshta një krizë sociale. Kjo për shkak se mungojnë politikat.”
Largimi në masë e i vijueshëm i të rinjve ka bërë që mosha mesatare në vend të rritet, duke u rritur me 3.8 vite vetëm në harkun e viteve 2015-2023.
Ndërkohë të dhënat nga Eurostat tregojnë se shqiptarët renditen të shtatët në botë për numrin më të lartë të emigrantëve që qëndrojnë në mënyrë të parregullt në një nga vendet e “unionit”. (A2 Televizion)