Avokati Redi Ramaj ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të kolegut të tij, Ulian Bajrami, duke e cilësuar ngjarjen si një praktikë që i ngjan periudhës së komunizmit.
I ftuar në emisionin Terminal nga Aurora Sulçe në A2 CNN, Ramaj komentoi incidentin që ndodhi në sallën e Gjykatës së Elbasanit, ku një debat mes një prokurori dhe një avokati për provat e një çështjeje përfundoi me arrestimin e këtij të fundit.
Avokati Ulian Bajrami u vu në pranga 24 orë pas përplasjes, nën akuzat për “kanosje për shkak të detyrës”, “kundërshtim dhe goditje të gjyqtarit” dhe “kanosje të gjyqtarit”.
“Kisha vite që nuk dëgjoja në një gjykatë shqiptare fraza si ato të kohës së komunizmit, ku prokurori vendoste në sallë se kush do arrestohej. Këto janë reminishenca të një prapambetjeje kulturore”, tha Ramaj.
Ai shtoi se kolegu i tij kishte reaguar vetëm pas rënies në dijeni të një prove të manipuluar: “Ai avokat ishte në ushtrimin e detyrës, duke mbrojtur interesat e klientit të tij. Bërja e një kallëzimi penal është mjet ligjor, ndërsa arrestimi për një deklaratë të tillë është abuzim me pushtetin.”
Sipas Ramajt, përdorimi i masës së arrestit në këtë rast është “jo normal” dhe dëmton seriozisht imazhin e drejtësisë shqiptare. (A2 Televizion)