Vapë e madhe... në SPAK. Institucionet po blejnë kondicionerë e mirëmbajnë sistemet ftohëse

Nga Marjo Brakaj
20 Qershor 2024, 15:04 | Ekonomi

Temperatura të larta… dhe në rritje. Institucionet në vend po marrin masa për të përballuar të nxehtin. Ministria e Drejtësisë kërkon të blejë pesë kondicionerë.

Në Agjencinë e Prokurimit Publik është depozituar tenderi për blerjen dhe vendosjen e tyre. Me kushtin që të jenë “Inverter”, pra të përshtatin funksionimin e tyre në raport me temperaturat e brendshme të ambienteve të punës, institucioni i drejtësisë kërkon nga kompanitë e tyre që të dorëzojnë ofertat e tyre brenda 48 orëve.

Temperaturat e larta që po përjeton jo vetëm nga moti, por edhe nga “të ftuarit” e shumtë që mirëpret kanë bërë që organi tjetër i drejtësisë, por këtë herë i pavarur... Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit trimit të Organizuar dhe Korrupsionit të kërkojë shërbim për të mirëmbajtur sistemin ftohës. Sipas tenderit të depozituar në Agjencinë e Prokurimit Publik, kompanitë e interesuara duhet të paraqesin ofertat e tyre brenda 24 orëve, ndërsa brenda dy ditëve të kryhet shërbimi i kërkuar.

Në Ministrinë e Financave, të cilës i ka mbetur vetëm një godinë pas ndarjes nga “Ekonomia”, janë plotë 18 kondicionerë ku duhet ndërhyrë. Janë 160 filtra dhe serbentina të njësive të brendshme që duhen ndërruar e mirëmbajtur. Kompanitë e interesuara duhet të paraqesin ofertat e tyre brenda 24 orëve, ndërsa ajo fituese do ta ofrojë shërbimin deri në fund të vitit.

Tenderë për blerje kondicionerësh apo për mirëmbajtje të sistemeve ftohëse kanë hapur gjithashtu Spitali Rajonal Fier dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos