
Shitblerje pronash, industri ushtarake e së fundmi sektori bankar... marrëdhëniet e forcuara politike, të dëshmuara edhe nga vizita e fundit e kryeministrit Edi Rama në Tel Aviv... kanë nxitur bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Ndërkohë një duzinë kompanish me kapital izraelit kanë çelur degët e tyre në Shqipëri në sektorin e shit-blerjes së pronave. Nga 42 në 2023-shin apo 39 në 2024-n, numri i bizneseve izraelite arriti në 105 vitin e shkuare.
Të dhënat nga Instituti I Statistikave tregojnë se vitin e shkuar Shqipëria zgjeroi me gati 3 herë eksportet drejt Izraelit. Nga 3.9 milionë euro në 2024-n, kompanitë shqiptare çuan në shtetin në Lindjen e mesme mallra me vlerë 11.2 milionë euro.
E kundërta ka ndodhur me importet dhe turizmin. Nga 50.1milionë euro në2024-n, vitin e shkuar importet nga Izraeli ranë në vetëm 27.6 milionë euro. Për shkak të tensioneve ushtarake edhe numri i turistëve izraelitë ka qenë në rënie pas bumit në vitin 2023.
Pavarësisht interesit në rritje, po të shohim statistikat zyrtare, vlera e investimeve direkte nga Izraeli në Shqipëri ngelet në vlera modeste. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, stoku i investimeve izraelite kishte vlerën e më pak se 7 milionë eurove. Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se në dekadën e fundit, afrimi politik mes dy vendeve është shoqëruar edhe me një interes të shtuar të sektorit privat izraelit për investime në Shqipëri. (A2 Televizion)