Imazhi i Shqipërisë në sytë e investitorëve amerikanë është prishur vitin e fundit. Në Indeksin e Besimit të Bizneseve mbi ecurinë e vitit të shkuar dhe pritshmëritë për në vijim të realizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, vendi u vlerësua me vetëm 40.34 nga 100 pikë të mundshme.
Në krahasim me vitin 2024, treguesi është përkeqësuar me 6.13 pikë, shkruan A2.
Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv i AMCHAM, u shpreh: “Nuk është një tablo rastësore. Pra, flet për një përkeqësim sistemik të perceptimit mbi qeverisjen, transparencën dhe integritetin e tregut në Shqipëri”.
Treguesi me rënien më të madhe rezulton ai në drejtim të perceptimit të korrupsionit në vend. Bizneset amerikane janë shumë të shqetësuara për këtë fenomen. Treguesi i perceptimit të korrupsionit ka rënë në 28.9 pikë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë në historinë e indeksit.
“Ky është një sinjal alarmi për institucionet, komunitetin e biznesit dhe të gjitha palët e interesuara për konkurrueshmërinë dhe klimën e investimeve në vend”, shtoi Mullaj.
Për të pestin vit me radhë, gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar mbetet ndër shqetësimet kryesore të Dhomës Amerikane të tregtisë, ndonëse me një përmirësim të lehtë gjatë 2025-s. Treguesi u vlerësua me 28.67 pikë, nga 100 të mundshme.
Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv i AMCHAM, tha: “Këto kanë shënuar rezultatet më të ulëta të 14 edicioneve të ABI Indeksit. Rënia me 9.36 pikë në një vit të vetëm dëshmon edhe njëherë erozionin e shpejtë të besimit në integritetin institucional dhe e rikthen korrupsionin në krye të axhendës së reformave që komuniteti i biznesit kërkon”.
Edhe pse pa iu referuar drejtpërdrejt situatës së krijuar me investimin në Zvërnec, duke iu përgjigjur pyetjeve presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve, gjatë një forumi biznesi vuri theksin te dialogu mes grupeve të interesit, si një element kyç për të nxitur sipërmarrjet e huaja: “Shpresoj të ketë dialog. Kam parë edhe investime shqiptare ku ka pasur dialog konstruktiv dhe rezultate konkrete. Duhet luftuar korrupsioni në këtë aspekt për të cilin po flasim. Le ta marrim këtë si një mesazh të fortë, në mënyrë që të ecim përpara. Theksin do ta vendosja te dialogu”.
Ndër problematikat që bizneset hasin në Shqipëri sipas AMCHAM janë edhe monopolet në tregje që sjellin konkurrencë të pandershme, informalitetit, burokracitë dhe sistemi fiskal që ndryshohet shpesh. (A2 Televizion)