Pas 9 orëve debat , Kuvendi miratoi pak pas mesnate dy projektligje të rëndësishme. Zgjatja e afatit të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje, si dhe shtyrja deri më 31 dhjetor 2026 të afatit për aplikimin për investime strategjike, morën dritën jeshile në Kuvend, shkruan A2 CNN.
Pa pjesëmarrjen e opozitës në votim, Me 73 vota pro dhe kundër deputetin Bujar Leskaj i cili ishte i vetmi i pranishëm, u miratua pr/ligji për investimet strategjike të propozuar nga deputetja Pranvera Resulaj. Ndërsa zgjatja e afatit për hotelet luksoze që kanë nënshkruan një kontratë me një nga brandet ndërkombëtare dhe përfituar statusin special do të operojnë pa taksa për 10 vite, u votua me 68 vota pro, kundër deputeti Bujar Leskaj dhe abstenuan Pandeli Majko, Erjon Brace dhe Petro Koci.
“Propozoj zgjatjen e afatit. Vjen pas disa propozimesh. Ka ndodhur se nuk kemi një ligj të integruar të investimeve të huaja dhe ato strategjike. Në mënyrë që mos të krijohet një vakum ligjore për projektet në process. Mendohet të shkoj në 6.2 miliardë euro dhe 30 mijë punonjës”, tha deputetja Pranvera Resulaj.
“Këtë projekt e quajtëm fuqia e 5 yjeve është e mundur që duke vendosur këto standardeve dhe të tjera kompani të menaxhojnë me këto nivele. Pra nga 11 kompani që operojnë në vazhdim me hotelet me 5 yje, 11 të tjera kanë zgjedhur të marrin një brand ndërkombëtar me 5 apo 4 yje. Kërkohet dy vjet për të kompensuar 2 vjetëshin që u dogj në periudhën e pandemisë”, tha Blendi Klosi.
Për deputeten e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, me këtë pr/ligj favorizohen oligarkët. “Ky nuk është një shtet, ky është një klub i të privilegjuarve. Kjo nuk është një paketë për zhvillimin e Shqipërisë. Kjo është një paketë anti-Shqipëri; një paketë që favorizon oligarkët dhe e lë shumicën e shqiptarëve në varfëri; një paketë që forcon monopolin e një pakice, ndërsa shumica lufton për mbijetesë; një paketë që shkatërron konkurrencën dhe pengon shqiptarët e ndershëm të ecin përpara”, tha ajo.
Këtë përfitim nga këto ligje deri tani e kanë marrë vetëm 11 hotele, që kanë kontratë me brande ndërkombëtare. Ndërsa sipas projektligjit fitimet deri në 2030 do të jenë 2.7 miliardë euro për projektet që kanë marrë leje zhvillimi.
(A2 Televizion)