Në hapat e inteligjencës artificiale, “Mira” do të luftojë informalitetin në tregun e punës në Shqipëri

Nga Mario Brakaj
19 Shkurt 2025, 19:30 | Ekonomi

Një në katër shqiptarë merr më pak se 40 mijë lekë në muaj. Me fenomenin “një pjesë në bankë e të tjerat në zarf” ende prezent, janë mbi 185 të punësuar me pagë nga rreth 734 mijë në total që paguan me pagë minimale.

Erald Pashaj, ekspert i tregut të punës, shprehet për A2: “Dhe ne jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është e vërtetë. Deklarohen paga minimale, por realisht pagat janë më të larta”.

Me skemën e pensioneve në “buzë të greminës” nga njëra anë dhe “tatimet” që nuk po mbledhin më tepër para nga tjetra, qeveria planifikon të “fusë në lupë” çdo rrogë, madje dhe orët shtesë.

Për të luftuar informalitetin, qeveria paralajmëron se brenda tetorit do të shpaloset një reformë e re e bazuar në teknologji dhe inteligjencë artificiale.

“Nuk është kaq e thjeshtë dhe nuk mund të realizohet vetëm me një fjalë goje. Fenomeni i pagave “gri” do të jetë prezent edhe për shumë kohë”, thekson Pashaj.

Pagat minimale do të jenë grupi i parë që do të kalojë në filtrin e Administratës Tatimore, Inspektoratit të Punës dhe Institutit të Sigurimeve, për të goditur fenomenin e nëndeklarimit të pagave. Disa nga format e tjera të informalitet te pagat që do të luftohen nga qeveria janë edhe mosregjistrimi i punonjësve, i profesionit apo edhe i orëve shtesë të punës.

Qeveria, përmes këtyre masave, synon të rrisë me 16% deklarimin e pagës reale deri në fund të vitit 2027, praktikisht kjo përqindje aktualisht është pjesa informale në tregun e punës. Me realizimin e këtyre objektivave, pritet që të rriten të ardhurat tatimore me 4,9 miliardë lekë nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos