Pompa e shtrenjtë shqiptare, nafta deri 45% mbi rajonin, shkak taksat

Nga Marjo Brakaj
14 Shtator 2026, 19:05 | Ekonomi

Nafta në Shqipëri kushton deri në 45 për qind më shumë se në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë. Ndërsa në vendin tonë një litër naftë kushton gati 2.4 euro, në këto dy vende të rajonit karburanti tregtohet mesatarisht me rreth 1.7 euro për litër.

Në krahasim me Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi, nafta në Shqipëri kushton 20 deri në 30 për qind më shumë.

 “Diferenca është shumë e dukshme për këdo që lëviz në rajon. Nëse një qytetar apo një kompani në Maqedoninë e Veriut paguan ndjeshëm më pak për të njëjtën sasi karburanti, kjo ndikon drejtpërdrejt edhe te konkurrueshmëria. Për bizneset shqiptare, karburanti është një kosto që futet në transport, në prodhim dhe në çmimin final të produkteve.”, tha Nebi Hoxha, sipërmarrës nga Maqedonia e Veriut.

Në Shqipëri, përveç akcizës prej 39.4 lekësh për litër dhe TVSH-së 20 për qind, mbi çmimin e naftës aplikohen edhe dy taksa të tjera shtesë, të cilat nuk aplikohen në të njëjtën formë në vendet e tjera të rajonit: taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër dhe taksa e karbonit prej 3 lekësh për litër.

 “Problemi është se struktura e çmimit në Shqipëri ka një komponent fiskal shumë të rëndësishëm. Në një situatë kur konsumatori po përballet me çmime të larta, shteti duhet të shohë nëse kjo barrë mund të lehtësohet përkohësisht. Vendet e tjera kanë përdorur instrumente fiskale për të zbutur goditjen dhe kjo është një alternativë që duhet të diskutohet edhe në Shqipëri.”, tha Besim Beqaj, Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar.

Por, teksa çmimi i naftës ka kapur nivele rekord, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, të cilat prej disa javësh kanë miratuar masa të reja fiskale për uljen e barrës mbi karburantet, Shqipëria nuk po ndërmerr masa të reja për amortizimin e efekteve të rritjes së çmimeve.

Madje, nuk është më në fuqi as Akti Normativ që parashikonte një ulje të përkohshme të akcizës.

 “Ka një moment ku duhet të vendosësh nëse prioriteti është të mbledhësh të njëjtin nivel të ardhurash nga karburantet apo të mbrosh ekonominë nga një efekt zinxhir. Një ulje e përkohshme e barrës fiskale do të kishte një kosto për buxhetin, por duhet llogaritur edhe kostoja që çmimi i lartë i naftës i krijon konsumatorit dhe sipërmarrjes.”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert ekonomie.

Sipas të dhënave të përfshira në material, Shqipëria renditet e para në rajon, e gjashta në Europë dhe e nënta në botë për çmimin e lartë të naftës.

Në botë, Hong Kongu është ndër vendet ku nafta kushton më shumë, me gati 3 dollarë për litër, ndërsa Venezuela renditet ndër vendet me çmimin më të ulët, me rreth 4 cent për litër.

Nga ana tjetër, qeveria ka argumentuar se në disa shtete të tjera taksat dhe detyrimet mbi karburantet aplikohen në forma të ndryshme dhe nuk reflektohen të gjitha drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar në pompë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos