Megjithëse leku është monedha zyrtare, në vend euro përdoret po aq sa paraja vendase dhe kjo ecuri do të vijojë. Për vitin e ardhshëm, Banka e Shqipërisë planifikon që rezerva valutore të zgjerohet me 800 milionë euro.
Nga 5.7 miliardë euro në fund të shtatorit, ajo planifikohet të arrijë në 6.3 miliardë euro vitin e ardhshëm. Për të kuptuar madhësinë e këtij stoku, mjafton të kujtojmë se i gjithë buxheti për vitin 2024 është rreth 7 miliardë euro.
“Dhe për mua kjo sjell pikërisht atë që po ndodh tani. Zhvlerësimin e euros edhe jashtë sezonit turistik. Oferta e euros është shumë e lartë”, tha Kliton Vaso, ekspert bankar.
Bazuar në një analizë paraprake, Ministra e Financave dhe Ekonomisë vlerëson se sasia e rezervës valutore për vitin e ardhshëm do të jetë e mjaftueshme për të mbuluar 7 muaj e gjysmë importe nga 7.2 muaj aktualisht.
Nga ana tjetër, rritja e rezervës valutore, është një tjetër lajm i keq për eksportuesit. “Këtë vit eksportuesit do të konsumojnë “dhjamin” e akomuluar. Vitin e ardhshëm mund të shohim shkurtime dhe falimentime te këto ndërmarrje, bazuar te ecuria e deritanishme e kursit të këmbimit”, thotw eksperti.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë pret që kursi i këmbimit euro-lek të mos e kalojë nivelin e 110 lekëve për tri vitet e ardhshme. Në relacionin e projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, “financat” parashikojnë se një euro do të këmbehet mesatarisht me 109.5 lekë deri në fundin e vitit 2026. Për ekspertin bankar, Kliton Vaso, e gjithë ekonomia e vendit do të ndikohet negativisht nga kursi i këmbimit vitin e ardhshëm.
“Efektet negative janë në horizont. Deri tani është duket se kemi përfituar nga inflacioni i importuar. Vazhdoj t’i qëndroj mendimit se “zhvlerësimi i euros do të kthehet shpejt në fatkeqësi”.
Për të shmangur një rënie më tej të euros, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë disa herë këtë vit duke tregu valutë nga tregu. Sasia e blerë deri në fund të shtatorit përllogaritet në 198 milionë euro nga 140 që u tërhoqën gjatë gjithë vitit të shkuar. Ekspertët vlerësojnë se Në kushtet e një ekonomie me aftësi të ulëta absorbuese, rezerva e lartë valutore mund të kthehet në pengesë për Bankën e Shqipërisë për të ndërhyrë te kursi i këmbimit në vijim. (A2 Televizion)