Është shpallur kompania fituese për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldren. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Enea Karakaçi, tha përmes një videomesazhi në Facebook se procesi ka qenë i vështirë, por tashmë është mbyllur me sukses.
“Procedura ka qenë jo e lehtë, pasi ka pasur disa tentativa të mëparshme të cilat kanë rezultuar jo të suksesshme. Megjithatë ia kemi dalë të bëjmë shpalljen e fituesit. Personalisht do të angazhohem që rruga të ndërtohet brenda afatit të përcaktuar”, tha Karakaçi, përcjell A2 CNN.
“Ndërtimi i kësaj rruge shkon natyrshëm me investimet që ka kryer dhe po planifikon të kryejë qeveria në veriun e vendit”, shtoi ai.
Aksi Milot-Balldren është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, i cili do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve në të gjithë veriun e vendit, tha ministri. (A2 Televizion)