Sa rriten pensionet? Mesatarisht 543 lekë në qytet dhe vetëm 320 lekë në fshat

Nga Marjo Brakaj
1 Korrik 2026, 15:08 | Ekonomi

Nga ky muaj pensionistët në qytet do të marrin mesatarisht 543 lekë më tepër, ndërsa ata në fshat vetëm 320 lekë më shumë. Nga 20 mijë e 123 lekë aktualisht, ajo që merr çdo muaj një i moshuar që jeton në qytet do të bëhet 20 mijë e 666 lekë.

Me rishikimin e fundit të buxhetit, qeveria vuri në dispozicion një fond shtesë në vlerën e 872 milionë lekëve. Nga rritja do të përfitojnë rreth 777 mijë pensionistë, shkruan A2 CNN. Ndërkohë pagesa mujore mesatare që merr një i moshuar në fshat, pas indeksimit me 2.7 për qind të do të bëhet 12 mijë e 198 lekë nga 11 mijë e 878 lekë që aktualisht është.

Rreth 300 lekë më tepër do të marrin edhe përfituesit e pensionit të invaliditetit në zonat urbane, ndërsa ata që trajtohen me pension familjar do të përfitojnë rreth 450 lekë më tepër.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se inflacioni për mallrat e shportës për pensionistët nga tetori i vitit të shkuar deri më tani ka rezultuar rreth 2.7 për qind dhe për pasojë indeksimi do të jetë në të njëjtën masë.

Me gjithë rritjet, ajo që pensionistët në vend marrin nuk mjafton për të përballuar jetesën. Nisur nga një përllogaritje me bazë përgjigjet e tyre, një çifti pensionistësh i duhen së paku 50 mijë e 400 lekë për të përballuar nevojat e një muaji. Nga ana tjetër, po ky çift merr mesatarisht 40 mijë nëse jeton në qytet. Pra, për të pleqëruar me dinjitet, një çifti të moshuarësh i mungojnë së paku 13 mijë lekë.

Indeksimi nga viti tjetër prite të ndodhë nga 1 prilli duke rikthyer kështu “datën e vjetër” të rritjes së pensioneve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos