Shtresa e mesme në sprovë, kriza po gërryen fuqinë blerëse të familjeve

Nga Marjo Brakaj
25 Korrik 2026, 17:35 | Ekonomi

Çdo krizë ekonomike lë gjurmë, por jo mbi të gjithë në të njëjtën masë. Rritja e çmimeve, inflacioni dhe kostot më të larta të jetesës rëndojnë më shumë mbi familjet me të ardhura të ulëta dhe po ushtrojnë presion edhe mbi shtresën e mesme, e cila në Shqipëri mbetet ende e brishtë.

Ndërsa diferenca mes atyre që kanë më shumë dhe atyre që kanë më pak vijon të zgjerohet, ekspertët paralajmërojnë se tkurrja e shtresës së mesme mund të ketë pasoja afatgjata për ekonominë.

Anastas Angjeli, ish-ministër i Financave dhe akademik, shprehet për A2: “Në periudha krize, goditjen më të madhe e merr shtresa e mesme, sepse të ardhurat e saj nuk rriten me të njëjtin ritëm me çmimet. Kur fuqia blerëse bie, familjet detyrohen të kufizojnë konsumin, të shtyjnë investimet dhe të ulin kursimet, duke u bërë më të ekspozuara ndaj çdo luhatjeje ekonomike”.

Sipas ish-ministrit të Financave, mbrojtja e kësaj shtrese kërkon politika që shkojnë përtej masave afatshkurtra. Rritja e produktivitetit, nxitja e punësimit cilësor dhe lehtësimi i barrës fiskale për familjet me të ardhura të mesme janë disa prej instrumenteve që mund të frenojnë tkurrjen e saj.

“Duhet të krijohen kushte që njerëzit të rrisin të ardhurat përmes punës dhe jo vetëm të kompensohen për rritjen e çmimeve. Investimi në arsim, inovacion, sipërmarrje dhe vende pune me vlerë të shtuar është mënyra më e qëndrueshme për të forcuar shtresën e mesme”, tha Angjeli.

Rëndësia e saj, sipas Angjelit, nuk lidhet vetëm me mirëqenien e familjeve, por edhe me zhvillimin ekonomik të vendit. Një shtresë e mesme e fortë nxit konsumin, investimet dhe stabilitetin social, ndërsa dobësimi i saj rrezikon të ngadalësojë ritmet e zhvillimit.

“Në të gjitha ekonomitë e zhvilluara, shtresa e mesme konsiderohet shtylla kryesore e zhvillimit. Ajo gjeneron konsum, paguan taksa, investon në arsim dhe në biznes. Sa më e gjerë dhe më e qëndrueshme të jetë kjo shtresë, aq më e fortë bëhet ekonomia dhe aq më të vogla janë pabarazitë sociale”, theksoi Angjeli.

Edhe pse nuk ka një përkufizim unik për shtresën e mesme, në Shqipëri ajo identifikohet zakonisht me familjet që sigurojnë të ardhura të qëndrueshme nga profesione si mjekë, juristë, inxhinierë, pedagogë, specialistë të teknologjisë apo sipërmarrës të vegjël e të mesëm. Pikërisht kjo kategori po përballet gjithnjë e më shumë me sfidën e ruajtjes së standardit të jetesës në një periudhë me kosto në rritje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos