Vendimet e qeverisë, shfuqizohet bordi i karburanteve, projekti në Zvërnec do të bëhet

Nga Marjo Brakaj
19 Qershor 2026, 13:45 | Ekonomi

Qeveria ka shfuqizuar bordin e transparencës për karburantet. Ky i fundit u ngrit nga qeveria më 23 mars, pas shtrenjtimit të çmimeve, pas luftës në Lindjen e Mesme.

“Sot do të ndërpresim Bordin e Transparencës që prej disa muajsh është në funksion. Çmimi prej dy javësh ka ardhur duke u reduktuar, në bursë ka rënë”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tregoi se si do të kujdeset tashmë pa bord qeveria që me çmimet e karburanteve mos të abuzohet. “Do të jemi shumë të kujdesshëm të monitorojmë lëvizjet e përditshme të çmimeve”, tha ajo.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Ibrahimaj foli edhe mbi projektin në Zvërnec teksa përsëriti se “ai do të zbatohet” pavarësisht protestave.

“Nuk ka ende një projekt për zhvillimin e zonës së Zvërnecit. Po punojmë me arkitektë të mjedisit peizazhit, jemi ende në fazë studimi dhe projektimi. Qeveria shqiptare nuk e ka një projekt final që ta ndajë me publikun. Në momentin që do na vijë një propozim, duhet të plotësojë të gjitha kushtet mjedisore. Është në qëllimet tona që projekti të miratohet të vazhdojë brenda parametrave të BE dhe të bëhet transparencë për publikun”, u shpreh ministrja.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve që kërkojnë anulimin e projektit, Ibrahimaj tha se aktualisht po punohet nga studiues dhe inxhinierë për të vlerësuar ndikimin në mjedis dhe se çdo propozim do të shqyrtohet në përputhje me standardet evropiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos