
Policia e Sarandës arrestoi një 21-vjeçar të akuzuar si bashkëpunëtor i aturoëve të vendosjes së lëndës shpërthyese në një makinë, ngjarje e ndodhur më 5 shkurt të këtij viti, raporton A2 CNN.
“Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe intensive, të kryera për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në ngjarjen e mëngjesit të datës 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, finalizuan operacionin e koduar “Identifikimi”. Gjatë operacionit u kap dhe u ndalua shtetasi I. K., 21 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka nxjerrë urdhër ndalimi për të, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. 21-vjeçari akuzohet si bashkëpunëtor i shtetasve në kërkim G. T. dhe Xh. B., të cilët më datë 05.02.2026 kanë vendosur eksploziv në automjetin që drejtonte shtetasi M. Gj.”, tha policia
Më tej, gjatë operacionit u krye kontroll në banesën e të ndaluarit, ku u gjet një armë zjarri (pistoletë) me municion, e cila posedohej pa leje.
Vijojnë kontrollet për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e dy shtetasve në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)