3 të arrestuar për lojëra fati dhe drogë në Lezhë, dorëhiqet drejtori i Policisë Islor Islami

Nga A2 CNN
22 Prill 2026, 09:27 | Kronikë

3 të arrestuar për lojëra fati dhe drogë në Lezhë,

Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion në Milot dhe në Laç, duke goditur disa ambiente të përshtatura për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Në operacionin e koduar “Rastet” u zbuluan tre ambiente ku zhvilloheshin lojëra fati me makineta dhe tavolina pokeri, ndërsa në një prej tyre dyshohet se shpërndaheshin edhe lëndë narkotike.

Në pranga ranë Shkëlzen Preni, Dorjan Medha dhe Ylli Veseli, ndërsa u shpall në kërkim Pjetër Lleshi dhe një tjetër u procedua penalisht.

Policia sekuestroi 15 makineta, 3 tavolina pokeri, sasi kokaine e ndarë në doza, para dhe pajisje të tjera që shërbenin për këtë aktivitet të paligjshëm.

A2 CNN mëson se pas zbulimit të këtyre ambienteve ka dhënë dorëheqjen nga detyra dhe drejtori i Policisë së Lezhës, Islor Islami. Ende nuk dihen arsyet e dorëheqjes së tij.

Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni i koduar “Rastet”.

Operacioni u zhvillua pas informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Zbulohen në Milot dhe në Laç, 3 raste ku kishin përshtatur ambientet për lojëra fati me makineta dhe tavolina pokeri. 

Njëri prej ambienteve, gjithashtu i përshtatur për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Sekuestrohen 15 makineta, 3 tavolina për lojën “Poker”, sasi lënde narkotike Kokainë, shumë parash, si dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Arrestohen 3 shtetas, procedohet penalisht 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 (pronarë dhe/ose administratorë të ambienteve).

Bazuar në informacionet e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për disa raste ku ishin përshtatur ambientet për zhvillimin e lojërave të fatit, me makineta dhe tavolina pokeri, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Rastet”.  

Gjatë operacionit u zbuluan 3 ambiente të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, dhe u konstatua se te njëri prej tyre gjithashtu përdoreshin dhe shiteshin lëndë narkotike. Konkretisht, për këto raste:

-u arrestuan shtetasit Sh. P., 21 vjeç dhe D. M., 33 vjeç, dhe u procedua penalisht shtetasi S. Sh., 61 vjeç, pasi në një lokal në Laç, në pronësi të shtetasit të proceduar, subjekt i cili dyshohet se bashkadministrohej nga 2 të arrestuarit, u gjetën 8 makineta, 2 tavolina dhe sende të tjera për lojëra fati, si dhe sasi lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza;

-u arrestua shtetasi Y. V., 45 vjeç, pasi në lokalin e tij, në Milot, u gjetën 6 pajisje dhe sende me të cilat luheshin lojëra fati;

-u shpall në kërkim shtetasi P. Ll., 31 vjeç, pasi në një ambient në pronësi të tij, në Milot, u gjetën 2 makineta, 1 tavolinë dhe sende për lojëra fati. Punohet për kapjen e 31-vjeçarit.

Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie, vijojnë në subjekte dhe në ambiente të ndryshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos