48-vjeçari gjendet i vrarë në makinë, dyshohet për hasmëri, hetim dhe për një tjetër konflikt

Nga Xhensila Kodra
24 Janar 2025, 08:34 | Kronikë

Vritet me armë zjarri një 48-vjeçar në Kamëz trupi i të cilit u zbulua nga një banor i zonës, mëngjesin e kësaj të premteje, shkruan A2 CNN. 48-vjeçari Lulzim Visha u gjet i pajetë brenda makinës së punës së tij, ndërsa në mjet u sekuestruan mbi 12 gëzhoja. Policia ka dyshime se ai është vrarë me pistoletë me silenciator, pasi nga dëshmitë e banorëve të zonës, nuk janë dëgjuar të shtëna arme".

Si zakonisht ai kishte dalë që në mëngjes për në punë dhe në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner, u qëllua për vdekje nga persona të paidentifikuar. Lulzim Visha punonte si postier në një postë private. Policia u njoftua për ngjarjen rreth orës 7:40 minuta të mëngjesit, kur një banor i zonës e pa atë të pajetë në mjet. Por grupi hetimor nuk e ka të qartë kohën se kur ka ndodhur krimi.

Në pyetje policia ka marrë banorët e zonës. Ata kanë pohuar se nuk kanë dëgjuar të shtëna apo të kenë parë persona të dyshimtë. Për zbardhjen e krimit, agjentët kanë ngritur dy pista hetimore. E para ka të bëjë me hasmërinë. Vëllai i Lulzim Vishës, Besnik Visha më 10 prill të 1997 ka vrarë Refik Domin te Universiteti Bujqësor. Krim për të cilin ai e ka shlyer dënimin.

Ndërsa si pistë të dytë, policia po heton një konflikt që dy vellezërit kanë pasur muajt e fundi me disa persona të tjerë në zonën e Zall Mnerit. 48-vjeçari dyshohet të jetë nxjerrë në pritë dhe më pas të jetë qëlluar për vdekje.

Menjëherë pas krimit, policia ka dyshime se autori të jetë larguar me një automjet të zi. Disa orë pas vrasjes, në Zall Herr policia gjeti të djegur një automjet, e cila dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Zona ku ndodhi ngjarja nuk ka kamera sigurie, ndërsa për të gjetur prova që mund të identifikojmë autorin, efektivët kryen kontrolle në disa banesa përreth, kryesisht persona me precedentë dhe rekorde kriminale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos