Një javë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hita, prezantoi publikisht mënyrën e re të komunikimit me qytetarët dhe mediat.
Sipas tij, kjo strategji erdhi si përgjigje ndaj shqetësimeve të qytetarëve për ndikimin negativ që krijojnë lajmet kriminale dhe publikimi i përditshëm i ngjarjeve nga qarqet e vendit, shkruan A2.
Ai deklaroi se informacionet e përmbledhura do të publikoheshin në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, ndërsa për ngjarjet e rënda do të jepeshin informacione në kohë reale dhe komunikim në vendngjarje nga drejtuesit vendorë të policisë.
Megjithatë, kjo praktikë nuk u reflektua në rastin e vrasjes së ndodhur në Sarandë më 8 maj, edhe pse një ditë më vonë pati deklaratë të drejtorit vendor mbi zbardhjen e ngjarjes, shkruan A2.
Po ashtu, në rastin e dhunimit të shtetasit Sokol Toma, gjatë udhëtimit nga Tirana drejt Lezhës, policia reagoi me dy ditë vonesë. Ngjarja ndodhi më 9 maj, ndërsa njoftimi zyrtar u publikua më 11 maj. Ndërkohë, që prej 7 majit komunikimet në kanalet zyrtare të Policisë së Shtetit kanë qenë të kufizuara dhe kryesisht të fokusuara te operacionet policore dhe te takimet e drejtorit të përgjithshëm.
Një tjetër problematikë lidhet me faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, e cila rezulton e papërditësuar dhe me mungesa funksionale. Nga një vëzhgim i thjeshtë evidentohet se disa seksione apo rubrika nuk funksionojnë plotësisht. Për shembull, te rubrika “Programi i Transparencës”, tek e drejta për t’u informuar dhe për t’u ankuar, kur klikon për më tej për të kërkuar një format kërkese/shpjeguese për hapat që duhet të ndiqen për të bërë një kërkesë për informim, nuk merr asnjë opsion përgjigje. Edhe rubrika shërbime për qytetarët “kontrollo kundravajtje rrugore” dhe “personat në kërkim” nuk funksionon.
Po ashtu, edhe informacionet mbi strukturat drejtuese rezultojnë të papërditësuara. Në disa raste, në faqen zyrtare vijojnë të figurojnë emra drejtuesish që nuk ushtrojnë më ato funksione, si në sektorët e qarkullimit rrugor.
Në faqen zyrtare publikohen përmbledhjet ditore të ngjarjeve dhe operacioneve policore në të gjithë vendin, por informacionet janë tepër të përgjithshme, të kufizuara vetëm në shifra dhe statistika, pa detaje konkrete mbi vendin, kohën apo rrethanat e ngjarjeve apo inicialet.
Ndërkohë, vijon të publikohet edhe përmbledhja mujore, një praktikë e ndjekur prej vitesh nga Policia e Shtetit.
Pas vendimit për ndryshimin e strategjisë së komunikimit pati reagime edhe nga organizatat e gazetarëve. Unioni i Gazetarëve dhe Asociacioni i Gazetarëve shprehën shqetësimin se kufizimi i informacionit dhe centralizimi i tepruar i komunikimit institucional mund të krijojnë vështirësi për raportimin e pavarur dhe të cenojnë të drejtën e qytetarëve për informim. (A2 Televizion)