
Prokuroria e Fierit përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq një person i cili dyshohet se abuzoi seksualisht me një vajzë me probleme të shëndetit mendor duke e lënë edhe shtatzënë.
Shtetasin me iniciale M.Ç. mosha e të cilit nuk bëhet e ditur nga prokuroria akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
“Nga hetimet mbi procedimin penal nr.714/2024 të realizuara nga ankimimi i të dëmtuarës, shtetases K.Ç., e cila pas kryerjes së një vizite mjekësore ishte informuar se ishte shtatzënë prej dy muajsh rezultoi e provuar se, viktima, sipas aktit të ekspertimit psikiatriko-ligjor, prezantonte zhvillim intelektual të ulët, krahasuar me moshën mendore të një 6-vjeçari.
Në vijim, u krye ekspertimi i AND duke marrë mostra nga fetusi i abortuar i të dëmtuarës dhe nga krahasimi me profilin gjenetik nga mostrat e marra nga i dyshuari, shtetasi M.Ç., rezultoi se profili gjenetik i shtetasit M.Ç., paraqiste lidhje gjenetike babë-bijë me profilin gjenetik të fetusit të abortuar nga e dëmtuara”, njofton prokuroria e Fierit.
Pas këtij konstatimi është ripyetur e dëmtuara, e cila ka pohuar faktin se kishte kryer marrëdhënie seksuale me shtetasin M.Ç., për të cilin tregonte se ky person kishte abuzuar me të, duke kryer marrëdhënie në banesën e saj, pa dëshirën e saj. Ky fakt u konfirmua edhe nga deklarime të tjera, ku tregohej se e dëmtuara kishte treguar për këtë ngjarje.
Shtetasi M. Ç., duke përfituar nga gjendja ekonomike, mendore dhe familjare e tyre ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Në këto kushte u krye ndalimi i menjëhershëm i këtij shtetasi.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që cenojnë apo dëmtojnë mirëqenien dhe zhvillimin normal të të miturve. (A2 Televizion)