
Gjykata e Lartë ka ndryshuar kriteret për zbatimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke ndryshuar disa prej tyre dhe duke detyruar akuzën ta justifikojë atë si masën e vetme të mundshme, shkruan A2 CNN.
Në vendimin e dhënë këtë të hënë, të lexuar nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u vendos rishikimi i vendimit të mëparshëm unifikues, i marrë në vitin 2011, për këtë masë sigurie dhe për kohëzgjatjen e saj.
Vendimi ndryshon 3 pika të shqyrtimit të masës së sigurisë.
1: Formulimi i mëparshëm, sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrimin të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret, nuk është në përputhje me nenet 228-230 dhe 245/1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Për këtë arsye, gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i individualizuar, i mbështetur në fakte dhe i lidhur drejtpërdrejt me rrethanat konkrete të çështjes.
2: Masa “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme. Rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa.
3: Barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg” i takon prokurorisë. Gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë këtë nevojë në çdo fazë të procedimit. Vendimmarrja e saj nuk mund të kushtëzohet nga paraqitja ose jo e “provave pozitive” nga i pandehuri.
Vendimi i të hënës pritet të ketë impakt të gjerë në sistemin gjyqësor, lidhur me masat e paraburgimit. (A2 Televizion)