Spitalla ndjen sot një nga dhimbjet më të mëdha që ka përjetuar kjo zonë që pas tërmetit tragjik të viti 2019. Spitalla, por edhe i gjithë Durrësi, sot vajton humbjen e jetës së dy fëmijëve që guxuan të luajnë në trotuar. Familjet e dy engjëjve nuk kanë mundur dot të përballojnë fluksin e njerëzve që kanë ardhur për ngushëllim dhe në vendin ku ndodhi tragjedia, është ngritur një cadër ku priten njerëzit, raporton A2 CNN.
Një tragjedi që erdhi pa asnjë arsye madhore, por nga neglizhenca dhe papërgjegjshmëria.
I vetmi lajmi mirë në këtë tragjedi është që i mituri i tretë që u përplas nga makina, ka kaluar rrezikun për jetën dhe po mjekohet për dëmtimet që ka marrë në Tiranë.
Ndërkohë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar gjithë zinxhirin komandues të drejtorisë së Policisë së Durrës, duke nisur nga që nga drejtori i policisë së qarkut, nëndrejtori përgjegjës për rendin publik dhe shefin e sektorit të qarkullimit rrugor në Durrës, ndërsa kanë nisur hetimet për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast, shkruan A2 CNN.
Nga ana tjetër shkaktari i kësaj tragjedie drejtuesi i automjetit që argëtohej duke pirë alkool dhe duke shkelur gazin e automjetit në rrugët e lagjes nuk ka asnjë alibi për këtë tragjedi. Një tragjedi e paralajmëruar në mënyra të ndryshme por pamundur të parandalohej. (A2 Televizion)