56 kursantë të Akademisë së Sigurisë janë helmuar pasditen e së mërkurës pas konsumimit të ushqimit në ambientet e këtij institucioni. Menjëherë pas ngjarjes, Komisariati Nr.1 i Policisë në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës arrestuan në flagrancë shtetasit Kujtim Ballgjini, 52 vjeç dhe Kristjana Plaka, 23 vjeçe, me detyra kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë. Gjithashtu policia shpalli në kërkim administratoren e kompanisë në SORI-AL.
Të dyshuarit akuzohen për “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”. 56 kursantët janë dërguar në spital pas konsumimit të vaktit të drekës në Akademinë e Sigurisë, shkruan A2 CNN. Nga të dhënat paraprake sipas dëshmive të studentëve dyshohet se helmimi ka ardhur si pasojë e konsumimit të brokolit, por do të pritet përgjigja përfundimtare e ISHP.
Nuk është hera e parë që në Akademinë e sigurisë ka ankesa nga studentët për cilësinë e ushqimit dhe kushtet higjienike të kuzhinës ku mbahen ushqimet. Studentët kanë filmuar edhe pamje të produkteve ushqimore në kuzhinë në të cilat ka edhe prani të krimbave. Deri më sot nuk janë marrë masa konkrete për përmirësimin e shërbimit të ushqimit për kursantët e akademisë së sigurisë të cilët do të jenë oficerët e ardhshëm të policisë së shtetit. (A2 Televizion)