Arrestohet agjenti i krimeve, AMP: Dekonspiroi aksionin e policisë, i përfshirë në trafik droge

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2024, 21:08 | Kronikë
Arrestohet agjenti i krimeve, AMP: Dekonspiroi aksionin e policisë, i

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të ditur se është vënë në pranga një punonjës i policisë, i cili akuzohet se ka dekonspiruar operacionet policore dhe dyshohet se është përfshirë në veprimtarinë kriminale të trafikimit të narkotikëve.

Mësohet se në pranga është vënë Albano Rustemi, i cili sipas AMP, në kohën e regjistrimit të këtij procedimi penal ishte me detyrë Agjent në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe aktualisht punonjës policie në Komisariatin e Policisë Dibër, shkruan A2.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë - Gjirokastër) ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj punonjësit Albano Rustemi, i cili kohën e regjistrimit të këtij procedimi penal ishte me detyrë Agjent në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe aktualisht punonjës policie në Komisariatin e Policisë Dibër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.

Nga hetimet e kryera me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ky punonjës policie rezultoi i dyshuar për:

- dekonspirim të aksioneve të policisë;

- përfshirje në veprimtarinë kriminale të trafikimit të narkotikëve;

- dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit;

- kontrabandë me mallra të tjera.

Vijon hetimi për përfshirjen e zyrtarëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale”, njofton AMP. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos