Gazetari Artan Hoxha ngriti alarmin për situatën në burgjet shqiptare, duke deklaruar se bosët e drogës po arrijnë të ushtrojnë kontroll edhe pas hekurave, falë fuqisë ekonomike dhe mungesës së sigurisë efektive brenda institucioneve penitenciare. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Hoxha tha se problemi nuk lidhet vetëm me infrastrukturën e burgjeve, por me nivelin e kontrollit dhe integritetit të stafit të keqpaguar.
“Nëse ti aty ke bosë droge që kanë lëvizur me tonelata kokainë dhe që kanë sasi të konsiderueshme parash, me gardianë që paguhen me rroga qesharake, sigurinë e burgut nuk e ruan trashësia e murit, por niveli i stafit që ke brenda”, u shpreh ai.
Gazetari tregoi edhe një episod që sipas tij dëshmon fuqinë që kanë disa të dënuar brenda burgjeve, duke zbuluar se komunikimet me telefon apo video nuk janë aspak të pazakonta.
“Që të fusësh një celular brenda, është tarifë fikse 2 mijë euro në muaj, sepse në burgje ka aparatura bllokuese të valëve, por ndodh e kundërta. Ai të del edhe nga burgu, edhe të merr me kamera atje, ta bën të qartë, ndërsa je në emision Live. Brenda burgjeve ka një botë tjetër, një nivel tjetër hierarkie, shpesh herë autoritetet, janë të detyruar të bëjnë një lloj pakti, ose marrëveshje me ta, t’u ofrojnë disa lehtësira që ata të mbajnë çik rregull atje brenda. Sepse po hyre në konflikt në një burg me 800 të dënuar, i ke hapur punë vetes”, deklaroi Hoxha.
(A2 Televizion)