Personi në foton më sipër është 30 vjeçari Kristjan Marku, i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në një atentat në autostradën Fier-Vlorë, pranë zonës së Novoselës.
Mjeti me të cilin Marku udhëtonte u godit me breshëri automatiku në lëvizje. Sipas grupit hetimor viktimën e kanë kapur 3 plumba nga 11 gëzhoja që janë gjetur në vendngjarje dhe një prej tyre ka rezultuar fatal.
Hetuesit kanë dyshimet se ekzekutimi i 30 vjeçarit ka ndodhur për shkaqe hasmërie. Për këtë arsye, disa nga banesat që policia ka kontrolluar gjatë mbrëmjes së të hënës janë në Rrëshen dhe i përkasin fisit Reçi, me të cilët fisi Marku (i njohur ndryshe edhe si Bardhi) janë në hasmëri prej vitesh.
A2 CNN mëson se katër anëtarë të fisit Reçi janë shoqëruar në polici për tu pyetur dhe gjatë deklarimeve ata kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen e të riut në Vlorë.
Kristjan Marku ishte person me precedentë penalë. Ai ka qenë arrestuar për tentativë vrasje në vitin 2023, kohë kur ai tentoi të vriste Sajmir Reçin, nipin e Kastriot Reçit.
Hasmëria ka vijuar më pas, ku Kristjanit i vranë xhaxhain, Martin Bardhi, në një lokal në Rrëshen, në shtator të 2023.
(A2 Televizion)