Një 41-vjeçar turk është arrestuar, pasi akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë dhe me anë të mashtrimit kompjuterik, kanë kryer transaksione të kundërligjshme, me vlerë mbi 1 milion euro. Në pranga u vu Ferhat Karakus, raporton A2 CNN. Por si ra policia në gjurmët e tij?
Kompania “MasterCard” kishte vënë re se një shtetas shqiptar kishte nisur të kryente transaksione të shumta bankare në vlera që varionin nga 50 mijë euro e lartë. Këto veprime të dyshimta kanë bërë që kompania të njoftonte policinë e cila më pas nisi menjëherë hetimin. Sipas burimeve mësohet se turku 41 vjeçar kishte arritur të siguronte kartën bankare të një shqiptari, qytetari të thjeshtë dhe përmes saj kryente transaksione bankare me bizneset e tij.
Si kamuflim, ai kryente blerjen në biznesin e tij në emër të shtetasit shqiptar në mënyrë që transaksionet të dukeshin të rregullta. Por policia zbuloi se ato ishin me prejardhje kriminale. Në disa raste, kur në kartën e shqiptarit janë kryer transaksione, ka rezultuar se ai nuk ndodhej në Shqipëri.
Shtetasi shqiptar ka mohuar të ketë dijeni për këto transaksione, për këtë shkak policia është duke e hetuar edhe atë nëse ka apo jo lidhje me turkun e arrestuar, pasi nga ana shqiptarit nuk ka pasur denoncim për humbje të kartës bankare. Po ashtu po punohet për të identifikuar personat e tjetër jashtë territorit shqiptar që mund të jenë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi. (A2 Televizion)