
Kryesisht nga çmimet dhe fitimet e individëve e bizneseve, në arkën e shtetit u futën gati 688 miliardë lekë deri në nëntor. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në krahasim me janar-nëntorin e shkuar, të ardhurat në buxhetin e shtetit janë zgjeruar me 39.7 miliardë lekë apo 6.1 për qind.

“Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë dhe unë mendoj se arsyeja kryesore në këtë ecuri është strategjia për menaxhimin e të ardhurave dhe shpenzimeve”, tha Eriola Hoxha, pedagoge, eksperte për ekonominë.
Peshën më të madhe në rritjen e të ardhurave gjatë 11 muajve e ka mbajtur Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në import me plotë 144.2 miliardë lekë. Rritja e pagës për punonjësit e administratës publike por edhe aksioni i tatimeve kundër nëndeklarimit të pagave bënë që arka e shtetit të përfitonte gati 76 miliardë lekë. Pozitivisht ka ndikuar edhe tatimi mbi fitimin e bizneseve.

“Kjo rritje e TVSH-së tregon qartë se konsumatorët janë aktivizuar më shumë, dhe turizmi luan një rol të rëndësishëm në këtë përmirësim", u shpreh Hoxha.
Ndërsa shpenzimet në fund të nëntorit arritën në 638.6 miliardë lekë, në rritje me 57.5 miliardë lekë në raport me janar-nëntorin 2024.

"Ndërsa të ardhurat po rriten, shpenzimet kanë qenë të kufizuara, sidomos në investimet kapitale, për shkak të periudhës zgjedhore, që ndikoi në ritmin e zbatimit të projekteve", theksoi Hoxha.
Të ardhurat ndjeshëm më të larat se shpenzimet bënë që ekonomia e vendit të mbyllej pozitivisht në janar-nëntor me, me mbi 49 miliardë lekë të kursyera.
(A2 Televizion)