Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Fatime Kryemadhit, e cila kishte ankimuar vendimin e ndërmjetëm të datës 15 qershor, me të cilin Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nuk pranoi tërheqjen e saj nga gjykimi i shkurtuar.
Vendimi u dha këtë të martë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së.
Fatime Kryemadhi është marrë e pandehur për veprën penale të pastrimit të parave. Sipas SPAK, ajo dyshohet se ka ndihmuar ish-çiftin Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në pastrimin e të ardhurave të përfituara në mënyrë të paligjshme, shkruan A2CNN.
Prokuroria e Posaçme pretendon se Fatime Kryemadhi ka pastruar rreth 645 mijë euro në kuadër të një skeme të mirëfilltë korruptive, në të cilën përfshihen edhe vajza e saj, Ema Çoku, si dhe ish-dhëndri, i cili ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024. (A2 Televizion)