Partia Demokratike ngriti sot një akuzë të re ndaj vëllait të kryeministrit, duke paralajmëruar kallëzimin e tij në SPAK. Sipas nënkryetarit Belind Këlliçi, licenca e kazinosë në “Air Albania” u dha në shkelje të ligjit për mikun e Olsi Ramës, Gerti Hykën.
“Gerti Haka është një shtetas shqiptar, i cili më parë ka jetuar në Troy, Michigan, aty ku ka jetuar për shumë vite edhe vëllai i kryeministrit, Olsi Rama. Që prej vitit 2013, me ardhjen në pushtet të Edi Ramës dhe me rilindjen, ky shtetas është kthyer në Shqipëri dhe shoqëron mikun e tij të ngushtë, Olsi Ramën, kudo.
Personalisht kam disa pyetje publike, të cilave SPAK-u do të duhet t’u japë përgjigje për të gjithë qytetarët shqiptarë.
A është ky një krim intelektual kaq i vështirë për t’u faktuar?
E dyta, a është një skemë pastrimi parash që të marrësh me letra një tokë në vlerën 320 mijë euro dhe vetëm për 60 ditë ta rivlerësosh atë në shumën 26 milionë euro, ndërsa me gjysmën e kësaj toke të marrësh licencë kazinoje një kompani tërësisht anonime, me persona tërësisht anonimë e të panjohur, pikërisht në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë?
E treta, si mundet që një shtetas venezuelian të regjistrojë një kompani offshore, më pas të vijë dhe të blejë aksionet e kompanisë GLG në Shqipëri, të blejë një tokë me para borxh, të kontaktojë me kompaninë “Alp Star” për t’i blerë aksionet e kazinosë dhe të gjitha këto veprime të ndodhin brenda pak muajsh, katër deri në gjashtë muaj?
Pyetja për SPAK-un sot është e drejtpërdrejtë: A ka ardhur ndonjëherë dhe a ka shkelur në Republikën e Shqipërisë shtetasi venezuelian, i përmendur pak më parë, që rezulton pronar i licencës së kazinosë në kullën “Air Albania”?
Pyetja e pestë: Kush e informoi këtë venezuelian “çudibërës” se shtetasi Gert Lumani po shiste aksionet e kompanisë që drejtonte?
Dhe pyetja e gjashtë: Kush është emri apo politikani që mund të urdhërojë Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Autoritetin e Konkurrencës, strukturat e pastrimit të parave dhe Komitetin e Investimeve Strategjike për t’i shërbyer kësaj skeme kriminale, që në fakt është e njëjta skemë që keni parë edhe te inceneratorët, me 17 vendime brenda një dite?
Përgjigjet janë të qarta për ne dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë që vidhen përditë nga Edi Rama, por që tashmë do të duhet të mbajnë në kurriz edhe aferat e Olsi Ramës, të kamufluara pas miqve të tij si Gerti Haka, të cilin e njeh një Tiranë dhe një Shqipëri e tërë”, tha Këlliçi.
Sali Berisha beson se kjo akuzë në SPAK do të ketë fatin e dosjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë. “Afera bixhozi, larjeje parash, licencimesh që nuk mund të ndodhin kurrë, përveçse në familjen kryeministrore në Shqipëri. Sigurisht që dosja do të dorëzohet në SPAK dhe pa dyshim do të ketë fatin e Xibrakës”, tha Beisha. (A2 Televizion)