
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, tha se vendimi i Gjykatës së Posaçme që urdhëron Prokurorinë e Posaçme të hetojë veprimet e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, është një fitore për të gjithë kandidatët që kërkojnë të dinë sa vota kanë marrë më 11 maj dhe që, sipas tij, e kanë pasur të pamundur për shkak të kodit zgjedhor.
“Gjykata urdhëroi hetimet për krim të organizuar zgjedhor, pra për grup të strukturuar kriminal dhe për krim zgjedhor. Kjo është një fitore e madhe, kujdes, jo për Aulonin, por për këdo kandidat që kërkon të dijë votat e veta, pasi kodi zgjedhor na e pamundëson këtë gjë. E drejta ime do të sanksionohet për çdo kandidat, jo vetëm për mua”, tha Kalaja pas vendimit të Gjykatës.
Kalaja kishte kallëzuar Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve në SPAK, sepse sipas tij nuk kishte vendosur rinumërimin e të gjitha kutive për qarkun e Durrësit, ku Kalaja ishte kandidat për deputet, shkruan A2 CNN. Pas kallëzimit, SPAK nuk regjistroi procedimin penal, ndërsa këtë të enjte Gjykata e urdhëroi të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë hetimin nga anëtarëve të KAS. (A2 Televizion)
