
Është vetëdorëzuar në polici i riu Daniel Pepa, i përfshirë në ngjarjen e rëndë në një lokal në Manëz, ku mbetën të vrarë dy persona.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 22 tetorit në fshatin Manëz, në lokalin në pronësi të familjes së ish-administratorit të njësisë administrative.
Sherri ka nisur në lokal mes Daniel Pepës dhe kamerierit të cilit i kërkonte të ndizte ekspresin për të bërë kafe.
Aty më pas Daniel Pepa ka nisur debatin me kamerierin dhe dyshohet se e ka qëlluar me një çantë krahu që e mbante me vete. Pas këtij veprimi ka ndërhyrë Flori Paluçi duke i thënë Daniel Pepës që të mos merrej me kamerierin. Midis tyre ka pasur debat, por kanë ndërhyrë personat e tjerë.
Pas këtij momenti Daniel Pepa është larguar me makinë dhe është rikthyer pas 3-4 minutash, bashkë më dy shokët e tij Ergi Kadiun dhe Aranit Kurtin.
Daniel Pepa pasi ka mbërritur sërish ka tentuar të futet në lokal me dy shokët që e shoqëronin, por persona e tjerë kanë ndërhyrë duke mos e lënë të futej në lokal që të mos konfliktohej me Florin Paluçin, por 21-vjeçari Pepa ka nisur të ofendonte Flori Paluçin nga jashtë lokalit.
Në këtë moment Flori Paluçi ka dalë nga lokali me pistoletën në dorë dhe ka qëlluar në tokë, për të trembur 21-vjeçarin. Por pasi ka qëlluar Flori Paluçi, menjëherë Daniel Pepa ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar Flori Paluçin duke e plagosur në shpinë. Më pas Aranit Kurti ka qëlluar me grusht Flori Paluçin, i cili me armën në dorë ka qëlluar sërish në drejtim të Daniel Pepës dhe Aranit Kurtit.
Një nga plumbat ka kapur pas shpine Aranit Kurtin duke e plagosur rëndë, i cili më pas ka ndërruar jetë. Ndërsa Daniel Pepa dhe Ergi Kadiu kanë hipur në automjet dhe janë larguar. Flori Paluçi ka tentuar ta ndjekë, për ta qëlluar sërish dhe një nga plumbat ka kapur edhe makinën.
Pasi janë larguar nga vendngjarja Daniel Pepa dhe Ergi Kadiu, Flori Paluçi është futur në makinën e tij duke tentuar që të shkojë vetë me makinë në spital, por është gjetur i vdekur në timon.
Ajo që kamerat e sigurisë kanë pikasur është se disa minuta pas ngjarjes është shfaqur sërish Daniel Pepa, në vendin e ngjarjes, bashkë me Gëzim Allçin, i cili mbante në dorë një send që sipas policisë është armë zjarri pistoletë.
Daniel Pepa dhe Gëzim Allçi janë djem tezesh me njëri-tjetrin. Bashkë më ta kanë qenë edhe Taulant Beqaj dhe Emirjan Beqaj. Kanë qëndruar pak dhe më pas janë larguar me makinë drejt Maminasit. (A2 Televizion)
