Goditet një rast i furnizimit dhe shpërndarjes së kokainës në Tiranë, në pranga 51-vjeçari

Nga A2 CNN
31 Maj 2026, 11:09 | Kronikë

Goditet një rast i furnizimit dhe shpërndarjes së kokainës

Një tjetër rast i furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta është goditur në Tiranë, ku janë sekuestruar 811 gramë kokainë dhe ka përfunduar në pranga poseduesi. “Blutë” bëjnë me dije se në pranga ka rënë F. B., 51 vjeç. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas do të furnizonte edhe shtetas të tjerë me këtë sasi lënde narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, u finalizua me sukses faza e dytë e operacionit policor të koduar “Zonat”. Si rezultat i kësaj faze të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi F. B., 51 vjeç. Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe pas një pune hetimore e operacionale të mirëorganizuar, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan këtë shtetas në një lokal në zonën e Freskut. Gjatë kontrollit të çantës që ai mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të saj dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 811 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë”, thuhet në njoftim.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas do të furnizonte edhe shtetas të tjerë me këtë sasi lënde narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Faza e parë e operacionit “Zonat” u finalizua një ditë më parë nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, ku u sekuestruan mbi 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe u vu në pranga poseduesi i saj”, vijon njoftimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos