
Ministri i Drejtësisë Toni Gogu prezanton rekomandimet e qeverisë para Prokurorit të Përgjithshëm, drejtuesit të SPAK si dhe drejtuesve të Prokurorive të rretheve.
Ai bëri të ditur se rekomandimet janë të strukturuara në tetë fusha prioritare, ndërsa vlerësoi rezultatet e arritura nga organet e drejtësisë gjatë vitit 2025.
Sipas ministrit, një nga treguesit më domethënës është fakti se 37% e procedimeve të SPAK-ut janë iniciuar me nismën e vetë strukturës, duke shënuar një rritje prej 19.8% krahasuar me më parë. Ndërsa çështjet e mbartura janë reduktuar me 78%.
“Rekomandimet janë të strukturuara në 8 fusha. Shifrat e 2025, nga SPAK shifra e parë që tërheq vëmendje, 37% e procedimeve janë nga vetë SPAK. Rritje me 19.8%, prokuroria që nis hetimet me iniciativën e vet. Çështjet e mbartura janë reduktuar 78%, BE reduktimin e backgolut e ka përparësi. Vlera e sekuestrimeve 33 milionë euro. Rekomandimet e 2026 adresohen aty ku ka hapësira për përmirësim. Hetimet financiare kanë nevojë për përmirësim”, u shpreh Gogu.
Ministri veçoi tre risi kryesore në rekomandimet për vitin 2026. Së pari, ai kërkoi një fokus më të madh te lufta kundër evazionit fiskal, duke e konsideruar atë jo thjesht një çështje tatimore, por një kërcënim për rendin ekonomik dhe konkurrencën e ndershme.
“Risitë e 2026 do i përmendja në tre shtresa, e para evazioni fiskal, nuk është thjesht çështje tatimore, themel i rendit ekonomik dhe konkurrencës së ndershme. Kjo do të kërkonte intensifikimin e hetimeve proaktive nga prokuroritë. E dyta, krimi kibernetik dhe format e reja të kriminalitetit. Pastrimi parave bëhet në kriptovaluta, mashtrimi bëhet online. Ndaj në rekomandimet e 2026 kërkojmë ngritjen e njësive të specializuara brenda prokurorisë. E treta, kriminaliteti rrugor”, theksoi ministri. (A2 Televizion)