Dy bashkëshortë, prindër të katër fëmijëve, u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi pasditen e 26 prillit në Balldren të Lezhës. Viktimat janë Kreshnik Mujeci, 39 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Gentiana Mujeci, 32 vjeçe.
Ata po udhëtonin me një automjet tip “Audi Q7” kur u qëlluan nga një distancë shumë e afërt. Mbi 30 plumba depërtuan në derën dhe xhamin e përparmë të mjetit. Dy autorë të pamaskuar hapën zjarr dhe më pas zbritën nga një automjet “Volkswagen Golf” pa targa, duke qëlluar sërish drejt çiftit përpara se të largoheshin pa nxitim. Dyshohet se shënjestra ishte Kreshnik Mujeci, por plumbat nuk kursyen as bashkëshorten e tij.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:50 në rrugën Balldren–Torrovicë, në një zonë të banuar dhe të monitoruar nga kamera sigurie. Pamjet tregojnë se pak para atentatit një automjet tjetër uli shpejtësinë dhe u fut në një rrugicë, duke detyruar edhe mjetin e viktimave të ngadalësonte. Në këto momente ndodhi sulmi. Dy automjetet e dyshuara u gjetën të braktisura disa ditë më vonë.
Hetimet çuan në identifikimin e tre personave si autorë të dyshuar, mes tyre edhe djali i një personi për vrasjen e të cilit Kreshnik Mujeci ishte akuzuar më herët. Pista kryesore mbetet hakmarrja.
Ngjarja lidhet me një vrasje të ndodhur më 6 tetor 2016 në Mali të Jushit, ku u vra Genc Mhillaj. Sipas dosjes, viktima u ndalua në rrugë nga një automjet, prej të cilit zbritën dy persona të armatosur. Pasi tentoi të largohej, ai u qëllua për vdekje nga një distancë e afërt. Pranë vendit të ngjarjes u gjet një furgon “Mercedes-Benz” në emër të Kreshnik Mujecit dhe një armë zjarri.
Për këtë krim u akuzuan kushërinjtë Jozef dhe Kreshnik Mujeci, pas dyshimeve të ngritura edhe për shkak të një konflikti të mëparshëm mes viktimës dhe Jozef Mujecit për motive të dobëta, konkretisht një shkëmbim automjetesh. Hetuesit kontrolluan banesën e babait të Jozef Mujecit, ku gjetën një automjet “Audi A3”. Edhe pse familjarët pretenduan se nuk ishte përdorur prej ditësh, nga verifikimet rezultoi se pjesë të tij ishin të ngrohta.
Jozef Mujeci u lokalizua dhe arrestua pas përgjimeve telefonike dhe gjurmimit të qelizës. Një dëshmitar okular deklaroi fillimisht se kishte parë dy persona, një të maskuar me armë dhe një të pamaskuar me shkop, duke sugjeruar më vonë se ky i fundit mund të ishte Jozef Mujeci. Bazuar në këto prova dhe përgjime ambientale, prokuroria ngriti akuza për “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Kreshnik Mujeci u arrestua rreth një vit më pas.
Megjithatë, rreth dy vite pas ngjarjes, Gjykata e Shkodrës i shpalli të pafajshëm të dy. Sipas vendimit, provat e paraqitura nuk ishin të mjaftueshme për të provuar fajësinë. Gjykata vlerësoi se konflikti i mëparshëm ishte vetëm një indicie e dobët dhe nuk provonte autorësinë. Po ashtu, pretendimi se mjeti “Audi” ishte përdorur nga Jozef Mujeci u konsiderua deduksion, pasi ekspertiza e gjurmëve të gishtërinjve nuk gjeti shenja të tij, por të personave të tjerë të paidentifikuar.
Gjykata arriti në përfundimin se hetimi nuk kishte qenë i thelluar dhe ishte fokusuar vetëm në gjetjen e provave kundër Jozef Mujecit, në vend të identifikimit të autorëve të vërtetë. Edhe dëshmia kryesore u rrëzua në gjykim, pasi dëshmitari deklaroi se nuk kishte arritur të identifikonte autorët dhe se gjithçka kishte ndodhur në pak sekonda dhe nga distanca. Sipas gjykatës, përmendja e emrit të Mujecit në hetim mund të ketë qenë rezultat i sugjestionimit.
Një element në favor të Jozef Mujecit ishte edhe alibia e tij, e mbështetur nga përgjime ambientale dhe të dhëna telefonike, sipas të cilave ai ndodhej në Koplik ditën e ngjarjes, larg vendit të krimit.
Sa i përket Kreshnik Mujecit, gjykata vlerësoi se e vetmja provë ndaj tij ishte fakti që makina e tij ishte gjetur e parkuar disa kilometra larg vendit të ngjarjes, gjë që nuk përbënte as indicie të mjaftueshme për fajësi.
Më 27 nëntor 2018, Gjykata e Shkodrës shpalli pafajësinë e plotë të të dyve. Apeli i Shkodrës e la në fuqi këtë vendim, duke mos pranuar ankimin e prokurorisë për shkak të mangësive procedurale, pasi ankimi nuk përmbante shkaqe dhe nuk respektonte formën ligjore.
Më pas, çështja u shqyrtua nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi probleme në mënyrën si ishte trajtuar ankimi në Apel, duke vendosur prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim. Vendimi u dha në tetor 2024 dhe dosja aktualisht ndodhet në pritje në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm.
Ndërkohë, për ekzekutimin e dyfishtë në Balldren janë shpallur në kërkim Adriano Mhillaj, 22 vjeç, Florin Mhillaj, 36 vjeç dhe Renato Mhillaj, 23 vjeç, ky i fundit djali i viktimës së vitit 2016.
Për sa kohë ndaj Jozef Mujecit dhe të ndjerit Kreshnik Mujeci ekziston një vendim pafajësie, për drejtësinë shqiptare vrasja e vitit 2016 mbetet pa autor
(A2 Televizion)