Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po dëshmon si viktimë e veprës penale deputeti i PD-së, Arjan Ndoj. Ky i fundit është thirrur për një nga fraksionet e dosjes për atentatin e 1 nëntorit 2019. Në këtë proces janë të pandehur Amar Shkëmbi dhe Bledar Polovina.
“Në vitin 2019 kam qenë prokuror në Durrës. Përveç anatemimit që më është bërë nga figura të larta politike, nuk kam pasur asnjë problematikë tjetër. Kam pasur në pronësi një automjet familjar, i cili ishte në emër të bashkëshortes sime.
Një muaj para ngjarjes, automjeti është përdorur nga shtetasi i ndjerë Andi Maloku. Më datë 1 nëntor 2019 kam dalë nga shtëpia si zakonisht, në orën 07:00 të mëngjesit, dhe kam shkuar në punë me Andi Malokun. Rreth orës 12:00 kam dalë nga puna dhe jam zhvendosur në drejtim të lokalit “Koral”, pasi isha i ftuar për drekë me disa persona, mes tyre edhe Aleksandër Laho.
Nga ora 13:00 deri rreth orës 16:00 kam qëndruar aty. Kemi qenë me dy makina dhe më pas jemi zhvendosur në drejtim të urës së Dajlanit. Automjetin e drejtonte Andi Maloku, pasi unë nuk ndihesha mirë. Unë ndodhesha në sediljen e parë, ndërsa Aleksandër Laho ishte në sediljen e pasme. Ai kishte edhe makinën e tij, por erdhi me mua për të biseduar”, dëshmon Ndoja.
“Nga momenti që kemi dalë nga lokali deri kur ndodhi ngjarja, nuk kam konstatuar asgjë të dyshimtë. Kur kemi kaluar pranë gomisterisë, aty ku nis kilometri i parë i autostradës deri tek ura e Shkozetit, kanë nisur krismat. Automjeti im ishte në karrexhatën ngjitur me ndarësen e trafikut.
Në momentet e para nuk e kam kuptuar se bëhej fjalë për të shtëna me armë zjarri. Krismat nuk kanë qenë breshëri, por të ndara. Kanë qenë dy armë, pasi bënin zhurma të ndryshme dhe kishte intervale në kohën e të shtënave. Nga momenti që kanë filluar krismat deri kur automjeti ka dalë nga rruga kanë kaluar rreth 20 sekonda.
Kur u plagos i ndjeri Andi Maloku, ai i dha gaz makinës dhe kemi goditur një nga barrierat e rrugës, duke përfunduar jashtë saj. Pasi makina ndaloi në kanal, vetëm Andi Maloku ishte më i vetëdijshëm dhe ai telefonoi babanë e tij duke i thënë: “Babë, na kanë qëlluar”.
Kur kam tentuar të dal nga makina, kam humbur ndjenjat dhe nuk më kujtohet më asgjë. Ndërsa Andi Maloku u rrëzua kur hapi derën, pasi mesa duket plumbi e kishte kapur në shtyllën kurrizore”.
Ndoja gjithashtu ka treguar për marrëdhënien me Plaurent Dervishajn. “Nuk kam mësuar as më pas se kush na ka qëlluar. Për Andi Malokun kam dërguar njerëzit e mi për t’u interesuar për gjendjen e tij shëndetësore. Familjarët nuk dinë asgjë, por as i ndjeri nuk kishte parë gjë, pasi autorët kanë qëlluar nga mbrapa dhe jo paralel. Përveç jush si organ prokurorie dhe vendimeve gjyqësore, nuk ka ardhur askush të na takojë dhe të na tregojë arsyen pse ka ndodhur kjo.
Të pandehurit e këtij procesi, si dhe bashkëpandehurit në një procedim të lidhur, nuk i njoh. Plaurent Dervishin e njoh vetëm si emër, pasi ka pasur një procedim në Durrës.
Pushimet në vitin 2019 i kam bërë në Shëngjin, pasi kam një shtëpi atje. Përgjithësisht për drekë ulesha tek “Koral” dhe tek një lokal “Kamelia” në Shkëmbin e Kavajës. Para ngjarjes nuk kam parë asgjë të dyshimtë.
Për shkak të sulmeve politike, kam pasur dyshime se mund të më kishin vënë në vëzhgim shërbime të posaçme të policisë, për shkak të vettingut. Nuk kam pasur dyshime konkrete, sepse po të kisha, nuk do të rrija në rrugë në atë mënyrë.
Erjol Halilajn, kur e kam parë në gjyq, jam kujtuar që e kam parë edhe në Durrës. Tek unë nuk ka ardhur askush për të më takuar, por di që tek familja e Andit kanë shkuar 3-4 persona. Mua nuk më ka sjellë askush porosi.
Rastësisht, në Gjykatën e Durrësit kam takuar xhaxhain e Erjol Halilajt. Ai më tha se kishte dashur të vinte të më takonte. I thashë pse nuk vjen, dhe ai u përgjigj duke përmendur nipin e tij. E pyeta çfarë dinte për nipin”, ka treguar ai.
I pyetur nga prokurori nëse e njihte: Dor Shabën dhe nëse ai i kishte sjellë porosi, Ndoja është përgjigjur: “E njoh, por nuk më ka sjellë asnjë porosi. Nuk kam asnjë pasuri në zonën e Gjirit të Lalëzit. Vullnet Muçën nuk e njoh, por nëse bëhet fjalë për Vullnet Muharremin, vëllain e Pëllumb Muharremit, atë e njoh. Në makinën time, përveç asaj dite, nuk ka udhëtuar ndonjëherë. Kemi pasur takime, por nuk kemi pasur lidhje biznesi. Halit Valterin e njoh, por nuk e kam takuar për çështjen e ngjarjes. Di që i ka ardhur një CD nga babai i Andi Malokut, që të transmetonte pamjet e makinës së gjetur në Shkafan.
Kur kam dalë në punë, kam takuar rastësisht Basri Mecen. I kam thënë se më kishte ardhur një informacion që këtë ngjarje ma kishte bërë Plaurent Dervishi dhe se djali i tij mund të kishte dijeni. I kam sugjeruar të largonte djalin nga Shqipëria derisa të sqaroheshin rrethanat.
I kam thënë se kur të krijoja bindjen time përfundimtare, do ta njoftoja që të merrte masat e tij. Edhe sot jam këtu, sepse nuk i kam borxh askujt”. (A2 Televizion)