Fotoja iu gjet në celularin e Dumanit, ish-zv.drejtori i Policisë së Elbasanit, Krenar Guçe, dëshmon te “Plumbi i Artë”

Nga A2 CNN
23 Prill 2026, 11:38 | Kronikë

Fotoja iu gjet në celularin e Dumanit, ish-zv.drejtori i Policisë

Ish-zv.drejtori i Policisë së Elbasanit, Krenar Guçe, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Plumbi i Artë”.

Ai deklaroi se gjatë ushtrimit të detyrës ka qenë nën mbrojtje shtetërore pas sinjalizimeve për kërcënime ndaj tij, për të cilat u tha se kishte informacion edhe nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano.

Guçe shtoi se një foto e tij ishte gjetur në telefonin e Nuredin Dumanit dhe se veprimet e tij hetimore i ishin referuar prokurorisë, duke i cilësuar dokumentet si pjesë e një hetimi sekret.

Pjesë nga dëshmia e Krenar Guçes

Dëshmon tek "Plumbi i artë" në Gjykatën e Posaçme, Krenar Guçe, ish-zv.drejtor i Policisë së Elbasanit.

Avokati i Fatos Gosës: Ju kanë kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës?

Krenar Guçe Gjatë kryerjes së detyrës, më ka thirrur ish-drejtori i përgjithshëm Gledis Nano dhe më është bërë me dije se persona të caktuar kanë pasur qëllime dashakeqe ndaj meje, kanë pasur foton time në telefon dhe për këtë arsye unë kam pasur mbrojtje nga shteti për 2 vite. Në 5 nëntor 2021 kam pësuar një aksident, theva këmben. Qëndrova 6 muaj me raport. Nuk më është dhënë shpjegim se kur ishte bërë kërcënimi. Fotoja ime ishte gjetur tek telefoni i Dumanit. Shteti shqiptar më ka dhënë mbrojtje.

Avoakti, pasi lexon një procesverbal të këqyrjes së hyrjes në Shqipëri nga Rinasi dhe vajtjes në një hotel të Hajdar Bako Çopja në dhjetor 2019: Përse nuk i keni referuar prokurorit emrin e personit që keni këqyrur lëvizjet, Hajdar Bako Çopja?

Guçe: Procesverbali është i qartë. Ka qenë sekret hetimor. Po ta shikoni në dosje, do ta gjeni edhe procesverbalin që ia kam referuar prokurorit.

Avokati: A keni bërë ndonjherë kontrolle për Talo Çelën në shtëpinë e Fatos Gosës.

Guçe: Nuk më kujtohet nëse kemi bërë kërkime për shtetasin Talo Çela në shtëpinë e Fatos Gosës.

Avoakti i Altin Ndocit: Si e identifikuat personin që shoqëroi Bakon?

Guçe: E identifikuam përmes targave të makinës. Ka qenë një makinë "Alfa Romeo". Pronari ishte Armir Stafa.

Avokati: A keni mbajtur procesverbal për këtë moment?

Guçe: Nuk më kujtohet.

Avokati: Kë keni vënë në dijeni?

Guçe: Eprorin tim, Leonard Palushi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos