I vranë vëllanë dhe nënën, vajza dëshmon ballë të akuzuarve tek "Plumbi i Artë"

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2025, 18:01 | Kronikë

Matilda Habili u përball të martën në Gjykatën e Posaçme me të pandehurit e dosjes “Plumbi i artë”, mes të cilëve janë personat që SPAK i akuzon për vrasjen e vëllait dhe nënës së saj, Elvis e Fatmira Dedaj në vitet 2012 dhe 2013 në Durrës.

Habili u paraqit si dëshmitare e thirrur nga prokuroria në proces, por nuk drejtoi gishtin e akuzës ndaj askujt.  

“Unë nuk jam interesuar ndonjëherë për hetimet ndaj vrasësve të nënës sime. Ia kam lënë në dorë kohës dhe drejtësisë”, tha dëshmitarja.

Para gjykatës Habili tregoi se prej vitit 1997 kishte ndërprerë çdo komunikim me vëllanë dhe nënë e saj.

Dëshmitarja nuk dinte të tregonte se me çfarë ishte marrë vëllai i saj, të cilit i referohej me nofkën Loshja, përveç faktit se pas vitit 1997 kishte shkuar në Itali e më pas në Holandë e Belgjikë, para se të rikthehej në Shqipëri.

“Po të ishte Loshka gjallë, ata që e kanë vrarë mamin, nuk kanë pasur shanse të prekin një fije floku”, tha dëshmitarja.

Vrasjen e vëllait Habili e kishte mësuar në media, njëlloj si kishte mësuar edhe vrasjen e të ëmës, që sipas SPAK u vra vetëm përse akuzonte dy vëllezërit Festim e Petrit Qoli për vrasjen e të birit dhe kërkonte me ngulm zbardhjen e vrasjes.

Ndërsa tregoi një takim me të pandehurin Festim Qoli, ku kishin folur për shitjen e aksioneve të një biznesi të vëllait të saj në një vlerë prej 45 mijë euro. Në seancë u dëgjua edhe dëshmia e P. M., ish-e dashur e Elvis Dedës.

Dëshmitarja tregoi se pak para se të vritej, Elvis Deda ishte konfliktuar me shokun e tij Festim Qoli.

“Visi ka qenë i shqetësuar atë ditë per shkak të karburantin. Kjo për faktin se e kishin vënë në emër të Festim Qolit, por Elvisi donte ta vinte në emër të nënës”, tha dëshmitarja.

Seanca e së martës ishte e 61-ta në radhë e dosjes “Plumbi i artë”, në të cilat është bërë e mundur vetëm pyetja e tre të penduarve Nuredin Dumani, Erion Alibej e Skerd Tasi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos