Lëvizte me armë për t’i shitur, arrestohet 48-vjeçari në Tufinë

Nga A2 CNN
24 Prill 2026, 11:27 | Kronikë

Lëvizte me armë për t’i shitur, arrestohet

Policia e kryeqytetit ka goditur një rast të tentativës për të shitur armë zjarri dhe ka vënë në pranga një 48-vjeçar. Sipas policisë ai u kap në flagrancë, në Tufinë, duke i transportuar armët, me automjet.

“Në bazë të informacioneve të siguruara për një rast të posedimit të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Barriera”. Gjatë operacionit, u vu në pranga shtetasi L. M.,  48 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Myslym Keta”, Tufinë, ndërkohë që lëvizte me automjetin e tij”, njofton Policia. 

Nga kontrollet në automjet, atij u gjetën 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake), që dyshohet se ky shtetas i posedonte me qëllim shitjen në zonat e “Freskut” dhe “Tufinës”.

Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 3 krehra me municion, automjetin që drejtonte dhe celularin e tij. 

Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos