
Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në autostradën Vlorë–Fier. Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Panaja, ku sipas informacioneve paraprake janë përfshirë tre automjete, shkruan A2CNN.
Në aksident janë përplasur një furgon tip “Benz” me targa AB 498 JR, një tjetër automjet tip “Benz”, si edhe një mjet i tonazhit të rëndë. Si pasojë e përplasjes së fortë, automjeti i rëndë, një bot uji, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në anë të saj, duke shkaktuar bllokim të pjesshëm të qarkullimit në zonë.
Burime paraprake bëjnë me dije se një person ka mbetur i dëmtuar dhe është transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për viktima. Policia po vijon hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shkaqet që çuan në këtë aksident. (A2 Televizion)