Në emisionin “Terminal” të Aurora Sulçes në A2 CNN, gazetari Andi Bora dhe ish-prokurori Ervin Karanxha kanë komentuar me tone kritike lëvizjet në Policinë e Shtetit, duke i cilësuar ato si “qoka” dhe “ndryshime për sy e faqe”.
Andi Bora tha se rotacionet e vazhdueshme në nivelet drejtuese nuk përbëjnë reformë reale: “Ndërrohet një shef komisariati, hiqet një drejtor, një shef krimesh, dhe krijohet perceptimi sikur po bëhen lëvizje. Por këto janë qoka. Ulu ti, çohet tjetri. Kjo s’është zgjidhje. Policisë i mungon analiza e thellë, dhe çdo reagim vjen vetëm kur afrohen festa, apo kur ka njoftime nga Interpoli. Nuk mund të presim Vitin e Ri apo gushtin që të godasim ndonjë grup kriminal.”
Sipas tij, puna e policisë duhet të bazohet në analiza të vazhdueshme, jo në fushata të përkohshme:
“Ka sektorë analize, por nuk përdoren si duhet. Drejtuesit duhet të vlerësohen mbi rezultate konkrete, jo mbi lidhje apo lëvizje politike.”
Nga ana tjetër, ish-prokurori Ervin Karanxha theksoi se situata e kriminalitetit lidhet ngushtë me krizën ekonomike dhe lodhjen sociale të qytetarëve: “Këto ngjarje nuk janë të lidhura me krimin e organizuar, por me varfërinë. Njerëzit janë të acaruar, të lodhur, dhe kur ekonomia bie, bie edhe stabiliteti shoqëror. Sot shohim një shoqëri të rraskapitur, ku edhe ngjarjet më të rënda ndodhin për arsye banale.”
Karanxha e lidhi këtë me mungesën e investimeve të qëndrueshme dhe me politikat e gabuara të qeverisë: “Në Itali prokurorët janë vrarë nga mafia. Këtu vriten për shkak të shtetit, për shkak të politikave të gabuara. Nuk bëhen analiza, nuk nxirren mësime. Duhet që shteti të ndërhyjë, të investojë në terren, që njerëzit të kenë mundësi dhe dinjitet.” (A2 Televizion)
