Propozimi i ekspertit Softa: Drejtori i Policisë të zgjidhet nga Parlamenti, të kthehet Xhandarmëria

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2025, 22:32 | Kronikë

Eksperti i kriminalistikës, Fatjon Softa, është shprehur se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë duhet të zgjidhet nga Parlamenti.

Komentet Softa i bëri në studion e emisionit ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku analizoi atentatin e ndodhur në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos Mustafa Sheqeri.

Softa tha se drejtori i Përgjithshëm i Policisë duhet të ngrihet në nivelin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Avokatit të Popullit.

Ai shtoi gjithashtu se në Shqipëri duhet të vendoset edhe Xhandarmëria, e cila do të funksionojë krahas Policisë së Shtetit.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë duhet të marrë votat në Parlament, të arrijë në nivelin e Prokurorit të Përgjithshëm, të Avokatit të Popullit dhe disa nivele të tjera, sepse është më mirë. Strategjia në luftën kundër krimit i takon të gjitha palëve, spektrit politik. Shumë vende të BE-së, trafikun e brendshëm e kanë Policia Bashkiake.

E liron Policinë e Shtetit nga kjo punë. Nëse Policinë e kemi lodhur dhe tejlodhur, sepse ata janë heronj për këtë punë… Nëse kjo nuk mund të rrisë numrin e numrit të punonjësve të Policisë, atëherë të shkojmë prap te një model europian, të kalojmë të Xhandarmëria.

Nga Ministria e Brendshme të varet Policia dhe nga Ministria e Mbrojtjes të varet Xhandarmëria. Njëra është jetë kazerme, tjetra është më civile. E kanë gjithë vendet e BE-së”, tha mes të tjerash Softa.

 

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos