Një ditë pas atentatit në Rinas, ende në zonë vijojnë të qëndrojnë gjurmë të ngjarjes së rëndë. Në vendngjarje ka akoma predha plumbash, ndërkohë vijojnë të lëvizin qytetarë si shqiptarë, por edhe të huaj në aeroportin e Rinasit, të cilët ende ndjejnë panikun dhe frikën e ngjarjes së rëndë.
Predhat e plumbave gjenden ende në skenën e krimit, ndërsa ajo që një ditë më parë ishte vendngjarje, të mërkurën i është kthyer normalitetit. Në vendin ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos Mustafa Sheqeri, qytetarët, shqiptarë e të huaj që kanë punë me aeroportin, qarkullojnë si çdo ditë tjetë, por jo aq të qetë si zakonisht, shkruan A2.
Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri sapo ishin kthyer nga Barcelona dhe kishin mbërritur në aeroportin e Rinasit aty ku kishin parkuar edhe automjetin që prej datës 7 nëntor, kur kishin shkuar drejt Spanjës. Sapo kanë dalë me makinë nga aeroporti, një automjet tip Toyota me targa greke është afruar paralel dhe dy persona kanë nisur të qëllojnë me breshëri, më pas te rrethi makina tip Benz ku ndodhej Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri ka humbur kontrollin.
Pikërisht te vizat e bardha ku duhet të kalojnë qytetarët që vijnë nga aeroporti i Rinasit kanë nisur të shtënat e para me armë zjarri, ku autorët janë afruar drejt automjetit tip Benz dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash.
Në këtë moment një nga autorët ka zbritur nga makina dhe është afruar te pasagjeri në mjet Gilmando Dani duke e qëlluar sërish nga afër. Më pas, autorët janë larguar në drejtim të Krujës dhe në fshatin Halil kanë djegur makinën me 4 armë zjarri brenda. Autorët kanë ndjekur të njëjtin itinerar kur kanë shkuar në Rinas dhe kur janë larguar.
Një nga personat, që dyshohet të ketë pasur rolin e vëzhguesit dhe informatorit, është identifikuar nga Policia e Tiranës. Kjo pasi ai është parë të ruante viktimën dhe të plagosurin që nga momenti kur dalin nga aeroporti. Dhe përgjatë kohës njoftonte personat që ndodheshin në automjetin tip Toyota.
Ka dyshime të forta se informacioni për autorët ka ardhur nga Barcelona që nga momenti që Dani dhe Sheqeri janë nisur për t'u kthyer në Shqipëri.
I plagosuri Mustafa Sheqeri, punonjës i AMP, ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Këtë të martë AMP ka nisur një verifikim të brendshëm të procedurave administrative të ndjekura, si dhe të praktikës së plotë lidhur me procedurën e rekrutimit në punë të Sheqerit në shtator të këtij viti.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)
