Ndihmuan Mustafa Sheqerin të bëhet pjesë e AMP, ndalohen një polic dhe oficeri i komisariatit nr.3

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2025, 16:18 | Kronikë

Ndihmuan Mustafa Sheqerin të bëhet pjesë e AMP, ndalohen një

Një oficer i komisariatit nr. 3 dhe një polic kanë rënë në prangat e policisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të vulave e stampave ose i formularëve. Dyshohet Bruno Cara dhe Arshim Zajmi se këta dy persona kanë ndihmuar Mustafa Sheqerin të bëhet pjesë e AMP-së.

Kujtojmë që punonjësi i AMP-së Mustafa Sheqeri alias Muç Shaljani mbeti i plagosur rëndë në atentatin ku u ekzekutua me breshëri plumbash Gilmando Dani, një ditë më parë pranë aeroportit të Rinasit.

Nga hetimet paraprake të kryera nga AMP-ja në lidhje me procesin e rekrutimit të Mustafa Sheqerit, u konstatuan shkelje të procedurave ligjore.

Njoftimi i policisë

Në vijim të komunikimit në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas kryerjes së veprimeve hetimore, ka ndaluar punonjësit e policisë Nënkomisar B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor A.Z., me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve" dhe "Shpërdorim i detyrës".

Këta punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin M.Sh., pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë. Ky detyrim i papërmbushur është i përcaktuar në dispozitat e ligjit "Për Policinë e Shtetit" dhe ligjet që normojë veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, gjë që ka sjellë punësimin e këtij shtetasi pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Gjithashtu nga veprimet paraprake të kryera nga AMP-ja në lidhje me procesin e rekrutimit të shtetasit M.Sh., u konstatuan shkelje të procedurave ligjore. Në përfundim të verifikimeve, me qëllim hetimin objektiv dhe gjithpërfshirës të çështjes, praktika dokumentare u dërgua në formën e kallëzimit penal në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të përcaktuar grupin hetimor dhe përgjegjësitë ligjore të personave, të cilët janë konstatuar në paligjshmëri.

Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të procedurave të ndjekura dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë rast. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos