Rreth 74 mijë euro dhe dokumenta false brenda autobusit, arrestohen 2 persona në Kakavijë

Nga A2 CNN
29 Maj 2025, 10:11 | Kronikë

Rreth 74 mijë euro dhe dokumenta false brenda autobusit, arrestohen 2

Dy shtetas kanë rënë në prangat e Policisë në Kakavijë, pas goditjes së një rasti të mosdeklarimit të parave në kufij dhe të një rasti të falsifikimit të dokumentave.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se në autobusin e një agjencie udhëtimi u gjetën të fshehura dhe u sekuestruan 74 240 euro dhe 15 dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara.  

Të arrestuarit janë drejtuesi i autobusit dhe punonjësi i agjencisë. Po ashtu është proceduar penalisht drejtuesi tjetër i autobusit dhe është shpallur në kërkim pronari i agjencisë së udhëtimit, i cili ishte edhe pritësi i shumës së parave.

Shuma e parave, dokumentet false dhe 4 celularë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme proceduriale.

Njoftimi i Policisë:

PKK Kakavijë-Finalizohet nga Policia Kufitare dhe strukturat e DVP Gjirokastër, operacioni i koduar "Pa identitet".

Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në inteligjencën policore, goditen një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi dhe një rast i falsifikimit të dokumenteve.   

Gjenden të fshehura në autobusin e një agjencie udhëtimi dhe sekuestrohen 74 240 euro dhe 15 dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara.  

Vihen në pranga 2 shtetas (drejtuesi i autobusit dhe punonjësi i agjencisë). Procedohet penalisht drejtuesi tjetër i autobusit.

Shpall në kërkim pronari i agjencisë së udhëtimit (pritësi i shumës së parave).

Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të imtësishme që kryejnë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kufitare, bazuar në analizën e riskut dhe inteligjencën policore, kanë goditur në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Gjirokastër dhe me autoritetet doganore, një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi dhe një rast të falsifikimit të dokumenteve.     

Në dalje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, autobusi i një agjencie udhëtimi, që drejtohej nga shtetasi A. L.. Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur dhe qenin e Policisë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në autobus, 3 zarfe brenda të cilave kishte 74 240 euro dhe 15 dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara (karta identiteti të shtetit francez, leje për qëndrim në Greqi dhe në Gjermani).

Shuma e parave, dokumentet false dhe 4 celularë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. 

Në vijim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Gjirokastër në bashkëpunim me DVP Tiranë, arrestuan në flagrancë shtetasit:  

-A. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, drejtuesi i autobusit, për veprat penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë", "Falsifikimi i dokumenteve", "Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave", të kryera në bashkëpunim dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale";  

-K. Gj., 41 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i agjencisë së udhëtimit dhe dërguesi i dokumenteve false, për veprat penale "Falsifikimi i dokumenteve" dhe "Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave", të kryera në bashkëpunim;

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Gj., 57 vjeç, banues në Dimal, shoferi tjetër i autobusit, për veprën penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë", kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi J. K., 73 vjeç, banues në Greqi, pronari i agjencisë së udhëtimit dhe pritësi i shumës së parave, për veprën penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë", kryer në bashkëpunim dhe "Fshehja e të ardhurave". 

Materialet proceduarale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos