
Tre vite pasi policia zbuloi disa sera me kanabis në fshatin Drenovicë të Beratit dhe 17 persona u ndaluan për kultivimin dhe shitjen e drogës, në Angli është arrestuar një nga personat e përfshirë në këtë grup kriminal.
Interpol Tirana njofton se në Mbretërinë e Bashkuar është arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi Xhuljano Hoxha. 30-vjeçari akuzohet nga GJKKO, si pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve.
“Gjatë megaoperacionit të koduar “Stuhia”, që goditi këtë grup kriminal, në muajin nëntor 2022, në fshatin Drenovicë, Berat, Policia sekuestroi 870 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Mançester, Mbretëria e Bashkuar, u bë e mundur kapja në Mbretërinë e Bashkuar dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit: Xh. H., 30 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 22.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe ‘Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale’”, sqaron policia.
Sakaq, Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me Interpol Mançester, për ekstradimin e 30-vjeçarit, në Shqipëri. (A2 Televizion)
