
Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 31 të arrestuarit e dyshuar për shpërndarje droge në kryeqytet. 14 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
Të shtunën, pas 4 muajsh hetime, Policia e Tiranës dhe Prokuroria finalizuan operacionin “Shkolla të Pastra”, duke goditur disa grupe që shpërndanin lëndë narkotike pranë shkollave 9-vjeçare, të mesme dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Nga hetimet u identifikuan 52 persona të përfshirë në aktivitetin kriminal, 31 prej të cilëve u arrestuan, ndërsa 14 të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë hetimeve ishin arrestuar edhe 7 persona të tjerë.
Policia sekuestroi 1.075 kg heroinë, 1.265 kg kokainë, 685 gramë kanabis, një armë zjarri, 90 fishekë, 12 automjete, 35 telefona celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme. Sipas hetimeve, droga shpërndahej edhe përmes monopatinave, taksive dhe shërbimeve “delivery” për të shmangur kontrollet policore. (A2 Televizion)