
Një operacion i koduar “Cleaning 5” ka goditur një grup që tentonin të shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë.
Policia ka ekzekutuar 17 masa sigurie, për 13 arrest në burg, 4 në arrest shtëpie, ndërsa një person është shpallur në kërkim. Shtetasit akuzohen se në bashkëpunim, kanë siguruar lëndë narkotike, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave në Shijak dhe në Manzë.
“Blutë” kanë sekuestruar sasi të konsiderueshme heroine, kokaine, kanabis sativa, 3 armë zjarri dhe shumë të konsiderueshme parash, automjete dhe celularë.
“Në vijim të punës intensive hetimore dhe operative, të kryer nga strukturat e Policisë së Durrësit, me prioritet identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që kryejnë veprimtari kriminale në afërsi të institucioneve arsimore dhe/ose të ambienteve të tjera që frekuentohen nga rinjtë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e forcave të posaçme Operacionale dhe “Shqiponja” dhe me shëbimet e Stacionit të Policisë Manzë dhe të Komisariatit të Policisë Shijak, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, operacionin e koduar “Cleaning 5”. Si rezultat i 2 procedimeve penale u kryen hetime disamujore, në vijim të të cilave u ekzekutuan masat e sigurisë për 17 shtetas, konkretisht, për 13 shtetas u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 4 shtetase u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa 1 shtetas u shpall në kërkim”, thuhet në njoftim.
“Këta shtetas, banues në Durrës, Kavajë, Shijak, dhe në fshatra të njësive administrative Sukth, Manzë dhe Xhafzotaj, akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe/ose më shumë se një herë. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim, siguronin lëndë narkotike dhe e shitnin kryesisht në afërsi të shkollave në Shijak dhe në Manzë, si dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë”, vijon njoftimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)