Trafik armësh nga SHBA, arrestohet 32-vjeçari në Tiranë

Nga A2 CNN
5 Qershor 2026, 13:07 | Kronikë

Trafik armësh nga SHBA, arrestohet 32-vjeçari në Tiranë

Një 32-vjeçar është arrestuar nga policia e kryeqytetit pasi u kap në flagrancë, teksa merrte një pako me pjesë armësh, në një degë postare në rrugën “Asim Vokshi”.

Sipas policisë pjesët e gjetura në pako dyshohet se janë trafikuar nga SHBA-ja. Në operacionin e koduar “Delivery” u sekuestruan 1 tytë arme zjarri, 1 silenciator, 2 krehra dhe pjesë të tyre, si dhe 2 celularë.

“Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, të kryera pas indicieve për një rast të trafikimit të pjesëve të armëve të zjarrit, nëpërmjet shërbimit postar, nga ShBA-ja në Shqipëri, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Delivery”. Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 32 vjeç, banues në Tiranë, teksa merrte një pako me pjesë armësh, në një degë postare në rrugën “Asim Vokshi”. Pjesët e gjetura në pako dyshohet se janë trafikuar nga ShBA-ja”, njofton policia.

Hetimi vijon për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos