
Një operacion policor i koduar “Muzeu i errët”, i zhvilluar pas një hetimi disa javor me metoda speciale, ka çuar në goditjen e një grupi kriminal që trafikonte në Shqipëri vepra arti të vjedhura në shtete të ndryshme të Europës.
Në kuadër të operacionit, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, u arrestuan shtetasit A. H., 20 vjeç, dhe I. Gj., 30 vjeç, ndërsa një tjetër anëtar i grupit, J. H., 42 vjeç, është shpallur në kërkim. Të tre janë banues në Kamzë, shkruan A2 CNN.
Gjatë kontrollit në banesën e A. H. dhe J. H. (babë e bir), policia sekuestroi qindra objekte me vlera historike, artistike dhe kulturore, të cilat mbaheshin për t’u shitur në mënyrë të paligjshme. Mes tyre u gjetën:
31 punime druri të gdhendura me motive të ndryshme;
3 skulptura në formë dhëmbi elefanti;
6 piktura të autorëve të huaj;
411 albume me pullë poste nga vende të ndryshme të botës;
një procesverbal origjinal francez i vitit 1925;
si dhe objekte të tjera të rralla, përfshirë një shpatë metalike, një skulpturë shqiponje, një vazo qelqi dhe një valixhe druri dekorative.
Gjithashtu u sekuestruan 2 automjete që dyshohet se shërbenin për transportimin e veprave dhe 2 celularë.
Policia po vijon kërkimet për arrestimin e 42-vjeçarit J. H. dhe hetimet për të zbuluar lidhje të tjera ndërkombëtare të këtij rrjeti të trafikut të arteve të vjedhura. (A2 Televizion)
 
                                           
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                   
 
						                    
						                    
						                   